Berisha: Ne kemi shpallur “Made in Albania”, prodhimin shqiptar si krenari kombëtare! Sot Shqipëria ka treg të deformuar
Kreu i PD Sali Berisha në kuadër të prezantimit të platformës për zhvillimin ekonomik të vendit pas zgjedhjeve të 11 majit zhvilloi një takim me shoqatat e biznesit.
Në fjalën e tij Berisha u shpreh se sot Shqipëria ka treg të deformuar, ndërsa shtoi se opozita ka shpallur “Made in Albania”, prodhimin shqiptar si krenari kombëtare.
Ekonomia jonë mbahet kryesisht nga ndërtimi. Ne kemi shpallur “Made in Albania”, prodhimin shqiptar si krenari kombëtare. Ne do bëjmë çdo gjë që Shqipëria të prodhojë sa më shumë, me sa më shumë cilësi dhe produkte sa më tepër konkurruese. Largimi i të rinjve ka në themel vetëm ekonominë.
Sot Shqipëria ka treg të deformuar. Larg së shfrytëzuari në shkallën e duhur është turizmi. Në turizëm ka informalitet rreth 80 përqind dhe pasqyrohet tek qytetari i thjeshtë. 430 milionë euro merren taksa për investitorët strategjikë. Ne e konsiderojmë ndërhyrjen urgjente në ekonomi, për të shënuar një kthesë rrënjësore”, u shpreh Berisha.
FJALA E BERISHES
Shfrytëzoj rastin të përshëndes të gjithë biznesmenët e Shqipërisë, të cilët në vlerësimin tim, ushtrojnë veprimtarinë e tyre në kushte të vështira si në asnjë vend tjetër. Shqipëria e tre viteve të fundit është Shqipëria e rënies dramatike të prodhimit.
Është Shqipëria që nga një semestër në tjetrin, prodhimi industrial bie. Eksportet nga viti 2023-2024 janë ulur me 32 përqind, statistikë zyrtare kjo. Eksportet nga njëri muaj në muajin tjetër të këtij viti vazhdojnë të bien.
Prodhimi bujqësor shënoi rënie dramatike. Pra, ne ecim drejt një ekonomie e cila mbahet sot në dy shtylla kryesore. Mbahet në ndërtimin dhe në një mënyrë ose në një tjetër, në turizmin.
Por historia ka provuar se edhe ekonomitë më të fuqishme të planetit, kur janë mbajtur në dy shtylla, kanë njohur kriza shumë të thella. Pikërisht për këtë arsye ne kemi shpallur Made in Albania, prodhimin kombëtar si krenari kombëtare.