Po na vrasin cdo dite/ 15.000 kg mish pule me salmonelë u konsumua nga shqiptarët! AKU fsheh skandalin
Pasiguria ushqimore është në nivele alarmante. Dështimi i AKU për të kontrolluar mishin që tregtohet, ka bëre që qytetarët në supermarkete, markete dhe restorante të konsumojnë mish pule të infektuar me bakterin e salmonelës.
Burime për ‘Ora investigim’ bëjnë me dije se në 11.03.2025 është futur nga porti i Durrësit 19.000 kg mish pule i importuar nga Brazili. Sipas të dhënave në etiketë data e skadencës ishte 13.12.2026.
Sipas procedurave standarde inspektorët e AKU në pikën doganore marrin mostrat e mishit të importuar dhe i dërgojnë për analizim. Deri në daljen e rezultatit të analizave mishi duhet të qëndrojë i bllokuar.
Pa pritur rezultatin e analizave subjekti importues është lejuar ta hedhë të gjithë produktin ne treg për shitje.
Këto janë rezultatet e analizave, ku 19.000 kg mish pule i importuar nga Brazili rezulton i infektuar me bakterin e salmonelës.
Në këtë rast kemi të bëjmë me dy shkelje, fillimisht laboratori nën varësinë e Ministrisë së Bujqësisë ka nxjerrë përgjigjen e analizave me 5 ditë vonesë, ndërkohë që AKU e cila duhet të mbante mishin e bllokuar deri në pritje të rezultatit ka lejuar që të futej në treg, duke bërë që mishi i pulës me salmonelë të konsumohet nga fëmijë e të rritur.
Të shqetësuar jo për shëndetin e qytetarëve, por për faktin se ky skandal mund të bëhej mediatik, AKU ka trokitur në derën e subjektit që ka importuar mishin, në mënyrë që të tërhiqet nga tregu.
Burime për “Ora investigim” bëjnë me dije se nga 19.000 kg mish pule me salmonelë është bllokuar vetëm 4000 kg, ndërsa 15.000 kg rezulton të jetë shitur.
Inspektorët e AKU i kanë kërkuar subjektit importues faturat e shpërndarjes, por përfaqësuesi i subjektit i ka “treguar muskujt” inspektorëve duke refuzuar t’i vendosë në dispozicion faturat.
Papërgjegjshmëria e institucionit që drejtohet nga Manush Kullolli vijon të rrezikojë jetën e qytetarëve, ndërsa “flirtimet” e biznesmenëve me inspektorët e AKU, bëjnë që këto të fundit të mbyllin sytë para shkeljeve flagrante./OraNews