Haxhinasto: Nuk mund të ketë integrim në BE pa zgjedhje të lira e të ndershme
Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, ka theksuar sot se qytetarët shqiptarë kanë mundësinë të ndryshojnë jetën e tyre më 11 Maj.
Haxhinasto kritikoi qeverinë për dështimin në realizimin e premtimeve të mëparshme, duke u ndalur në sektorë të ndryshëm si shëndetësia, arsimi dhe mbështetja për qytetarët.
Ajo që shohim sot, në fillim të fushatës zgjedhore, është se, përsëri, integrimi i vendit në BE po përdoret nga mazhoranca në pushtet për t’i shërbyer vetëm axhendës së saj politike dhe aspak qytetarëve shqiptarë”, tha Haxhinasto.
Haxhinasto theksoi se ”nuk mund të ketë integrim në BE pa zgjedhje të lira e të ndershme”.
Haxhinasto ka ftuar qytetarët që të mbështesin Koalicionin për Shqipërinë Madhështore dhe Partinë e Lirisë, duke e cilësuar këtë mundësi si një hap për një të ardhme më të mirë për të gjithë.
“Prandaj, në 11 Maj, duke votuar për Koalicionin për Shqipërinë Madhështore dhe kandidatët e tij dhe të Partisë së Lirisë, ata kanë mundësinë që me votën e tyre të krijojnë një jetë tjetër për veten e tyre dhe për fëmijët: Ata mund të krijojnë mundësinë për rritje dyfish të pagave dhe pensioneve. Me votën e tyre të lirë, mund të krijojnë punësim e paga të larta për veten dhe fëmijët e tyre në një ekonomi ku prodhohet e eksportohet. Me votën e tyre të lirë, mund të mbështesin mbi katër herë më shumë bujqësinë me pagesa direkte, e të konsumojnë ushqime të shëndetshme për veten dhe fëmijët e tyre, duke frenuar sëmundjet e rënda që po bëjnë kërdinë”, tha Haxhinasto.
“Me votën e lirë në 11 Maj, qytetarët shqiptarë mund të votojnë për të krijuar e konsoliduar familjet e reja, duke i mbështetur për blerjen e shtëpisë dhe për rritjen e fëmijëve të shëndetshëm. Në Europë shkohet me dinjitet – kur shqiptarët janë zot, të lirë e të mirëqenë në vendin e tyre”, tha Haxhinasto.