Berisha: Historia e tërmetit do të mbyllet brenda një viti! Sako është simbol i korrupsionit më shumë se Gjushi
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një deklaratë të fortë për situatën e tërmetit, duke premtuar se brenda një viti historia e pasojave të tij do të mbyllet përfundimisht.
Lideri i opozitës teksa vizitoi një familje të dëmtuar nga tërmeti në Durrës tha se, qytetarët që kanë nevojë për meremetime do të kenë prioritet në këtë proces, ndërsa kritikoi ashpër Sako-n, duke e cilësuar si një simbol të korrupsionit më të madh dhe duke e krahasuar me ish-kryebashkiakun, Vangjush Dakon.
“Me 11 maj, kjo merr fund.
Me 11 maj u garantoj se kjo situatë merr fund menjëherë dhe shtëpia juaj dhe të gjitha shtëpitë që janë për meremetime do meremetohen me përparësi absolute.
Do të ndërtohen aty ku janë për t’u ndërtuar të reja ku nuk mbajnë dhe duhet të prishen.
Por, historia e tërmetit do të mbyllet përfundimisht brenda një viti.
Se këta e kanë përdorur këtë histori për të vjedhur, për t’u pasuruar në mënyrë të tmerrshme.
Imagjinoni ju Sakon, e cila tejkalon Gjushin. Ajo është një Gjush me pantallona, e cila nuk njeh asnjë limit në kodin etik të zyrtarit.
Është simbol i korrupsionit më shumë se Gjushi.
Qindra e qindra familjeve nuk ua ka dhënë bonusin e qirave. Prej një viti e gjysmë nuk u jep bonusin e qirave.
Sepse këtu e kanë të zakonshme. Edhe rrogat nuk i japin në kohë më. Administrata vetë i vonon rrogat ndonjëherë edhe 10 ditë. Kjo sepse këta luajnë bixhoz me rrogat e qytetarëve. I përdorin për fitime në atë periudhë dhe qytetarët rrinë pa rroga.
Ligjin e zbaton siç do vetë ai. Absolutisht!
Për mafien nuk ka ligj.
Gjithë ky sistem i kalbur varet nga Edi Rama, i cili pasurohet vetë, kurse të rinjtë marrin rrugët.
I cili pasurohet vetë, rrugët, banesat, shkollat, spitalet rrënohen.
I cili vjedh vetëm me ministrat e tij buxhetin, taksat dhe mban pensionet qesharake, pensione çnjerëzore.
Në qoftë se të vjen një fjalë ndërmend kur kujton qëndrimin e Edi Ramës ndaj pensionistëve, ai nuk meriton të quhet ndryshe veçse çnjeri.
Pse? Si mund të jetojë një pensionist me pension 160 mijë lekë apo 150 mijë lekë, të përballojë të gjitha shpenzimet…
Urdhëroni, këtij i vijnë 100 mijë lekë drita…
Kjo sepse i kanë dyfishuar. Ne do i përgjysmojmë tarifat e ujit, do ulim energjinë nga 85 që e bëri ky tani në 70.
Pensionet, nuk do ketë pension nën 200 euro.
Pensionisti që merr 120 euro, do marrë 200 euro”, tha Berisha.