Nga Gjiknuri te Klod Allajbeu, për kë janë dosjet që u hakeruan në SPAK (EMRAT)
Gazetari Bledian Koka, gjatë një diskutimi në Euronews Albania, zbuloi emrat e tre personave të cilët janën nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe një pjesë e materialeve të hetimit të tyre, u hakeruan përmes email-eve të prokurorëve të posaçëm dhe iu dërguan disa gazetarëve.
Sipas Kokës, materialet e hakeruara janë nga dosjet për ish-ministrin dhe deputetin socialist Damian Gjiknuri, pronarin e “Spitalit Amerikan”, Klodian Allajbeu dhe të Ornela Imeraj, një njeri i besuar i “oligarkut” Allajbeu.
Koka ngriti dyshime se SPAK urdhëroi menjëherë mediat që këto dosje të mos publikoheshin, por lejoi sipas tij, publikimin e përgjimeve nga burgu të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Sipas tij, kjo tregon se SPAK-u po përdoret edhe për luftën e brendshme mes klaneve të PS-së.
Gazetari deklaroi se pas grupit kriminal që ka hakeruar email-et e prokurorëve të SPAK, ka dyshime se qëndron ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, vëllai i trafikantit të drogës Geron Xhafaj.
“Institucioni i pavarur i organit të akuzës së Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, brenda një dite ka marrë një vendim dhe s’ka marrë një vendim. Dje i dha urdhër mediave që të gjithë ata që kanë marrë dosjet e hakeruara, që ta dinë qytetarët shqiptarë, një është për Damian Gjiknurin, e dyta është për Klodian Allajbeun dhe e treta është për një vajzë, Ornela Imeraj, që është një njeri i besuar i Klodian Allajbeut. Këto janë tre dosjet që janë hakeruar dhe janë shpërndarë.
Dhe SPAK dje mori vendimin dhe bëri shumë mirë dhe tha që këto dosje nuk duhet të publikohen nga kushdo që i ka, ndërkohë sot, një portal, që ka bërë shumë mirë se nëse një media i bie një informacion që ka rëndësi për publikun duhet ta publikojë, ka njoftuar që në 12 të drekës, që në orën 18:00 do të nisin përgjimet e dosjes së Erion Veliajt në burg. Si ka mundësi që SPAK jep urdhër për bllokimin e tre dosjeve që janë hakeruar dhe nuk jep urdhër, siç ka dhënë edhe në raste të tjera, për bllokimin e publikimit të përgjimeve të Erion Veliajt në burg.
Me këtë SPAK-u konfirmoi që është edhe një organ në luftën e brendshme të PS-së. Dyshimet janë së në krye të grupit kriminal që ka hakeruar SPAK-un qëndron Fatmir Xhafaj, sepse janë dy njerëz që janë të ngushtë me të. Por, ata janë dy njerëz që vetëm me hakerimin nuk kanë lidhje. Që Agim Ismaili të ketë lidhje me hakerimin është çik e trashë kjo si përrallë.” – tha Bledian Koka.
Çfarë ndodhi me hakerimin e SPAK?
Prokuroria e Posaçme ishte shënjestër e hakerimit mrëmjen e 12 Marsit nga një grup personash, të cilët arritën të siguronin materiale të dosjeve hetimetore.
Përmes një komunikate për mediat, SPAK sqaroi ditën e djeshme se ndërhyrje të paligjshme ka patur vetëm në adresat e email-eve të prokurorëve të posaçëm dhe jo në sistemin e përgjithshëm të IT-së të institucionit, ku u tha se sistemi i brendshëm i institucionit ka mbetur i pacënuar. Sipas SPAK, është tentuar të ndërhyet edhe në email-in e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanit, por pa sukses.
Në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar dy persona, më konkretisht Zambak Gjoni, ish-drejtor i paraburgimit të Vlorës dhe Arnold Rrokaj, ish-punonjës i IMT-së. Rrokaj akuzohet për ndërhyrjen e paligjshme, ndërsa Gjoni për shpërndarjen e materialit tek persona të tretë.
Sipas SPAK-ut, ata kanë arritur të marrin disa informacione, pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore. Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar paisjet e përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët (file) të shkarkuar.
Burime për mediat bëjnë me dije se më konkretisht, është ndërhyrë në email-et e prokurorëve Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini. Këta tre hetues po punojnë mbi dosje të rëndësishme që përfshijnë raste nga krimi i organizuar deri te zyrtarët e dyshuar për korrupsion.
Zambak Gjonaj ka shpërndarë materialin e hakeruar tek disa gazetarë, në celularin e ish-kreut të burgjeve, Agim Ismaili, si dhe te Dritan Palnikaj, aktualisht sekretar në Ministrinë e Arsimit. Ende nuk dihet se cili ka qenë qëllimi i tyre.
Dyshohet se pas kësaj skeme hakerimi qëndron një grup kriminal, teksa sipas gazetarëve, hakerimi është bërë nga një zyrë në kullën “ETC” në Tiranë, pranë zyrës së ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Hetimet për Allajbeun dhe Gjiknurin
Klodian Allajbeu është një prej biznesmenëve më të akuzuar në Shqipëri, teksa pak kohë më parë u paraqit për t’u marrë në pyetje edhe në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku ka dëshmuar për rreth dy orë.
Allajbeu është përfolur si i përfshirë në dy nga dosjet e nxehta të shëndetësisë: atë të koncesionit të laboratorëve dhe dializës. Emri i tij u shfaq edhe në dosjen e Erion Veliajt, ku kanë udhëtuar së bashku në drejtim të Kinës, por prokurorët nuk e kanë marrë ende përgjigjen se kush i ka mbuluar shpenzimet për këtë udhëtim.
Gjithashtu, Klodian Allajbeu është nën hetim edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pasi akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë kanë pastruar para përmes një skeme të falsifikimit të dokumenteve dhe prezantimit të dokumenteve false në Administratën Tatimore të Kosovës.
Ndërkohë, Damian Gjiknuri, deputet socialist, ish-Ministër i Energjitikës, është një prej emrave kyç në atë që konsiderohet si “afera e inceneratorëve”. Ai është në top-listën e personave të kallëzuar penalisht nga Partia Demokratike, pas përfundimit të punimeve të Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen e impianteve të djegies së mbeturinave.
Gjiknuri rezulton se ka qenë në udhëtime të përbashkëta jashtë Shqipërisë me Arben Ahmetajn, Klodian Zoton e Mirel Mërtirin. Në postin e ministrit, ai ka pasur shumë mundësi që të “favorizojë” dyshen e biznesmenëve.
Në dokumentet e hartuar nga prokurorët e SPAK, rezulton se, krahas dyshimeve se ish-ministrat Lefter Koka dhe Arben Ahmetaj, kanë përgjegjësi penale në procedurat e ndjekura për dhënien me koncesion të impiantit të përpunimit të mbetjeve në Elbasan, është përfshirë në mënyrë të drejtëpërdrejtë më së paku edhe Damian Gjiknuri, ish-ministër i Infrastrukturës në vitin 2014, kur qeveria i dorëzoi koncesionin rreth 30 milionë euro kompanisë “Albtek Energy” të Stela Gugalljas, bashkëjetuese e Mirel Mërtirit.
Në materialin e zgjeruar dorëzuar në Parlament për Arben Ahmetaj, prokurorët e posaçëm ka konstatuar se Gjiknuri ka dhënë dakordësinë për këtë procedurë, e cila rezulton e paligjshme. Sipas SPAK-ut, Ministria e Gjiknurit ka pasur rol thelbësor në procedurën koncesionare.
Gjithashtu, prokurorët kanë gjetur dy pagesa të bëra nga Klodian Zoto për hotele në Frankfurt dhe në Vienë, me emër klienti Damian Gjiknuri.
Gjithashtu, ka dyshime të arsyeshme se Damian Gjiknuri është i përfshirë edhe në çështjen “McGonigal” – ku një ish-zyrtar i lartë i FBI-së akuzohet për përfitime, udhëtime dhe takime të padeklaruara në Shqipëri, përfshi edhe ato me kryeministrin Edi Rama.