Berisha: Nuk mund të integrohemi në BE si vendi me pensione 140 euro, apo si vendi ku bëhen arrestime politike

Berisha: Nuk mund të integrohemi në BE si vendi me pensione 140 euro, apo si vendi ku bëhen arrestime politike

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka hedhur poshtë prograpandën e Edi Ramës me integrimin. Berisha e ka cilësuar atë si një meme të gjallë, i cili nuk di se çfarë thotë.

Berisha ka theksuar në fjalën e tij, se në BE, Shqipëria nuk mund të integrohet si vendi ku pensionet janë 140-150 euro, ku burgosen politikisht drejtuesit e opozitës, apo si vendi që eksporton kriminalitet.

“Miq, ky njeri, të rinjtë i kanë vënë memen e fundit: meme e gjallë, dhe bravo u qoftë se ua kanë gjetur.

Ky njeri që nuk që nuk lë gje pa gënjyer. Tani, ka 3 javë që nxjerr një pasaportë biometrike të prodhuar nga qeveria e mëparshme, dhe u thotë ja, pasaporta europiane.

Kjo parti qëndroi në pushtet 20 vjet, dhe në mënyrë absolute nuk ka regjistruar një akt të vetëm madhor në procesin e integrimit.

PD e anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Europës. Këta thërrisnin se, molla nuk është pjekur, në atë kohë, ju kujtohet. PD anëtarësoi Shqipërinë në NATO. Edi Rama protestonte me portretet e Enver Hoxhës, atë ditë që Shqipëria anëtarësohej në NATO në shesh.

Komisioni Europian prpozoi Shqipërinë për statusin e kandidatit. Ai bllokonte 3 ligjet në parlament për këshilltarët e Fierit. Parlamenti Europian miratoi heqjen e vizave për shqiptarët. Ai dërgonte emaile se 800 mijë shqiptarë do u dynden në Bruksel.

Pse po i them këto?

Po i them këto se, në qoftë se ka një parti që ka ADN-në e integrimit, kjo është PD-ja.

Po PD-ja e integrimit nuk e imagjinon kurrë se mund të integrojë Shqipërinë si vend i burgosjeve dhe arrestimeve politike.

Jo, Shqipëria nuk mund të integrohet kurrë si vend i tillë.

PD nuk e imagjinon kurrë që të mund të integrojë Shqipërinë si një vend i torturës masive. A e dini ju miq, se sot në burgjet e Shqipërisë 70% e 6200 të burgosurve janë në paraburgim, janë persona të padënuar. Në parim e Kushtetutës së Shqipërisë, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të Kartës së Organizatës së OKB, ata janë të pafajshëm. Dhe ata mbahen aty, në super kushte çnjerëzore, torture të vërtetë.

Jo, Shqipëria nuk mund të ecë në këtë mënyrë drejt BE.

Por, t’u them edhe një gjë tjetër ju. Shqipëria nuk mund të ecë drejt BE me pensionistë që marrin 140 euro, 150 euro. Nuk ecet. E kanë edhe këtë kriter. Nuk e shpallin. Por e kanë ata edhe këtë kriter. Edhe, e kanë me të drejtë. Ua jap plotësisht të drejtë.

Shqipëria, nuk mund të ecë drejt BE duke eksportuar krim dhe kriminalitet, duke dhunuar zgjedhjet e lira.

Pra, të gjitha këto janë vetëm mashtrime të Edi Ramës. Në qoftë se, ka një forcë politike që është faktuar se është serioze dhe e suksesshme në proceset integruese, kjo është PD”, u shpreh Berisha.

Share it :