SKANDALI/ Inspektorët e AKU-t hedhin tonelata mish pule në tokë. Shëndeti i konsumatorëve në “mëshirë të fatit”
Nuk kanë të ndalur skandalet ne Autoritetin Kombëtar të Ushqimit.
Te këto pamje të siguruara ekskluzivisht nga “Ora News” në portin e Durrësit shihet çoroditja e sistemit të sigurisë ushqimore.
Kjo është Pika e Inspektimit Kufitar.
Siç shihet nga pamjet inspektorët e AKU jashtë çdo standardi sigurie kanë nxjerrë nga kontejnieri ngrirës arkat me mish pule dhe i kanë hedhur në tokë, duke i ekspozuar në temperatura të larta.
Subjekti që ka importuar mishin e pulës, “Super Frango”, është kujdesur që ta ruajë në kushte frigoriferike gjatë gjithë transportit, ndërkohë kur vjen në vendin tonë arkat me mish pule të ngrirë, jashtë çdo lloj kushti, nxirren nga ngrirja dhe hidhen në tokë.
Madje, me disa arka mishi Inspektori i AKU-t ka krijuar shkallë për t’u ngjitur më lehtësisht në konteinierin ftohës.
Burime për televizionin “Ora News” bëjnë me dije se në këto kushte skandaloze merren edhe mostrat për analizimin e mishit.
Sa i sigurt është për konsumatorin mishi i pulës, i cili pasi ka dalë nga ngrirja, qëndron me orë të tëra nën rrezet e diellit?
Përgjigjen e kësaj pyetje e presim nga Ministria e Bujqësisë Anila Denaj.
Ora news