Bylykbashi: Durrësi, vitrinë e qeverisjes grabitqare! Nga 12 maji do bëjmë “Shqipërinë e shpresës”!

Drejtuesi Politik i PD për Durrësin, Oerd Bylykbashi, në prezantimin e kandidatëve të PD, akuzoi qeverinë Rama për keqqeverisje, korrupsion dhe bashkëpunim me krimin. Ai deklaroi se shqiptarët prej 12 vitesh janë larguar gjithnjë e më shumë nga Europa, ndërsa qeveria ka shkatërruar shpresën, drejtësinë dhe zhvillimin.

Bylykbashi theksoi se porti i Durrësit është simboli i grabitjes së shtetit nga klientët e pushtetit, ndërsa qytetet si Kruja, Fushkruja e Shijaku janë kthyer në shembuj të shpopullimit dhe harresës. Ai premtoi kompensim të menjëhershëm për qytetarët që nuk kanë marrë bonuset pas tërmetit dhe përfundimin e legalizimeve të bllokuara.

Bylykbashi: Të gjithë ne kemi përshkruar së bashku një rrugëtim të gjatë e të mundimshëm, një pelegrinazh 34-vjeçar drejt 1 qëllimi, Shqipërisë si gjithë Europa, pluraliste, demokratike, e begatë, ku njerëzit jetojnë me shpresë, mundësi dhe shanse të barabarta për të veten dhe familjen e tyre.
Por ka 12 vjet që Edi Rama i ka futur shqiptarët në një shteg pa krye. Europa është si një vegim i një oazi në shkretëtirë që largohet sa më shumë që mendon se afrohesh.

Korrupsioni, krimi i organizuar, trafiku i drogës, pastrimi i parasë së pisët në ndërtesa shumëkatëshe, grabitja e pronës, shkelja e të drejtave nga një shtet i politizuar, mungesa e drejtësisë, vrasja e shpresës dhe largimi nga Shqipëria, këto janë kryefjalë e keqqeverisjes së Edi Ramës.

Durrësi është vitrina e çdo aspekti të qeverisjes grabitqare të Edi Ramës, grabitqare dhe arrogante.
Kruja është modeli se si mund të shpopullohet një qytet simbol i kombit, duke e zhveshur nga institucionet, duke i hequr mundësitë, duke i hequr identitetin.

Fushkruja dhe Shijaku janë shembuj harrese dhe keqqeverisje, apo qeverisje në bashkëpunim me krimin.

Porti i Durrësit, porti që ju grabit, jo vetëm durrsakëve por të gjithë shqiptarëve për t’ju dhënë Alabarit, klientit të Edi Ramës, në fakt është vetë Edi Rama, është simbol si ai nuk ka kufi nëse vazhdon të qëndrojë në karrigen e pushtetit.

Ka njerëz që kanë 2 vite që nuk i marrin bonuset e qirasë pas tërmetit, do t’i marrin sapo të kthehemi ne, 100%, gjithçka që u mungon, kushdo që u prek do të marrë atë që u takon, jo sipas preferencës politike.

Ka njerëz që marrin një pension qesharak, ka njerëz që nuk i marrin dot pronat apo nuk i zhvillojnë dot pronat e tyre se nuk do Edi Rama, ka njerëz pafund që ende mbahen të varur prej legalizimit, do të mbyllet kjo plagë menjëherë.

Ka njerëz që nuk zhvillojnë dot biznesin e tyre se nuk ka siguri, nuk ka shëndetësi, nuk ka arsim në këtë vend.

Nga 4.7 milionë shtetas shqiptarë, të gjallë dhe të regjistruar, rreth 2 milionë janë jashtë Shqipërisë, 1 milion e 100 mijë janë larguar vetëm në 12 vitet e fundit.

E pamundura për demokratët, për Sali Berishën është asgjë, bëmë të pamundurën, nga 2005 në 2013 kur futëm brenda vetëm 2 vitesh të gjitha bandat anembanë Shqipërisë në burg.

Bëmë të pamundurën.

Ne provuam atëherë se e pamundura është asgjë.

Duke filluar nga 12 maji do të bëjmë diçka të madhe, Shqipërinë e shpresës.

Share it :