Tregtarët: Nuk ka njerëz më, nuk ka rini! Berisha: Është jetike që të rivendosim një klimë të favorshme për biznesin e vogël
Në bisedën mes tregtarëve dhe liderit të opozitës, Sali Berisha, u theksua shqetësimi i madh për rënien e tregtisë dhe largimin e rinisë nga Shqipëria, një fenomen që ka prekur gjithashtu shumë biznese të vogla.
Tregtarët tregojnë se nuk ka më njerëz në dyqane dhe rinia ka ikur, duke i lënë pas pasiguri dhe papunësi. Në përgjigje të këtij shqetësimi, Berisha u shpreh për të rivendosur një klimë të favorshme për biznesin e vogël, duke ofruar linja kredie të buta dhe ulje të taksave, si dhe një sistem më të favorshëm energjetik dhe ujor.
Ai premtoi gjithashtu përmirësime për pensionistët, duke garantuar një minimum jetik dhe përfitime të tjera për ta. Berisha e cilësoi si jetike rikthimin e rinisë dhe zhvillimin e ekonomisë, duke theksuar se me fitoren e PD-së do të kthehet një shpresë e re për Shqipërinë.
Pjesë nga komunikimi i kreut të PD me tregtarët:
Do bëjmë gjithçka që së pari t’u lehtësojmë nga ngarkesat e pamerituara fiskale.
Të kthehet tregtia siç ka qenë më përpara në kohën tuaj…
Absolutisht më të mira do të jenë. Përveçse tavani do ngrihet nga 140 mijë euro pa taksa në 180 mijë euro pa taksa. Do të ketë linja krediti të butë për bizneset e vogla dhe start-upet. Energjia do të shitet me 6 lekë, siç shitej dikur, jo me 18 lekë. Uji do përgjysmohet.
Shpresojmë për një fitore të madhe…
Duhet të punojmë sa më shumë me të gjithë.
Doktor, të uroj fitore të thellë…
Në dorë e kemi, ju e shihni se çfarë entuziazmi ka. Dhe kemi edhe një program që i përshtatet çdo shqiptar. Sepse ky program çdo pensionisti i tregon respektin njerëzor që meriton.
Unë i kam në shtëpi nënën dhe babën dhe janë me pension 120 mijë lekë, nuk e di si mund të bëhet po të mos jemi ne për t’i ndihmuar…
Ata kanë fatin e madh që të kanë ty, por janë me qindra e mijëra që kanë ikur se nuk kanë kafshatën. Çdo pensionist do ketë minimumin jetik 200 euro. Ata që janë me pension mbi 200 euro, do u rriten me 20 përqind pensionet. Do u japim kartën e konsumatorit që të blejnë ushqimet 20 përqind më lirë. Energjinë do e paguajnë me 7 lekë, jo me 8.5 lekë. Nafta do ulet me çmimet e Kosovës dhe Maqedonisë se meqë jemi bërë vetë shembulli i keq duhet të gjejmë shembuj të mirë përreth.
Nuk ka njerëz Doktor, nuk ka rini gjëkundi, është bërë qamet. Nuk vjen askush, më i riu kam ngelur unë këtu…
Ja, shikojeni. Është jetike, vendimtare që ne të kthejmë këtë situatë që ndodh. Prandaj në këto zgjedhje e kemi në dorë vetë të bëjmë gjithçka.
Do e kthejmë…
Do e kthejmë, bravo, të falënderoj shumë.