Berisha: Brenda vitit të parë të qeverisjes do rrisim me 5 herë subvencionet për fshatin dhe fermerët

Berisha: Brenda vitit të parë të qeverisjes do rrisim me 5 herë subvencionet për fshatin dhe fermerët

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka premtuar nga Njësia 15 në Tiranë, se brenda vitit të parë të qeverisjes së demokratëve, do rriten subvencionet për fshatin dhe fermerët. Berisha tha se, brenda vitit të parë të qeverisjes do rrisim me 5 herë subvencionet për fshatin dhe fermerët.

“Vendosëm një sistem subvencionesh dhe ju jeni dëshmitarë që u subvencionuan ullinjtë, prodhimi, bagëtitë, lopët e me radhë. Të gjitha këto në tërësi u hoqën. Është e paimagjinueshme se kudo që shkoj, fshatarët më thonë se, në zonën tonë nuk është shtruar një kilometër rrugë.

Është një injorim, një përjashtim total, ndërkohë që ju, që të gjithë pa përjashtim, në çdo gotë ujë që pini, në çdo kafshatë që hani, paguani taksën TVSH 20%, e keni paguar në dyqan kur e keni blerë.

Pra taksat tuaja nuk u kthyen asnjë qindarkë tek ju.

Cili është programi ynë? Programi ynë është paratë tek qytetari. E thjeshtë fare.

Thjeshtë fare. Paratë ne do të ja kthejmë qytetarit dhe ju garantoj se projekti ynë për fshatin do të vazhdojë me intensitet të madh.

Por siç e keni dëgjuar ndoshta, ne e fillojmë nga ajo që e quajmë, zemra e dhimbsur. Ne e fillojmë tek ata që janë në mjerim, në varfëri ekstreme.

Ne e fillojmë tek ata të cilët marrin siç e thatë këtu, 70-80-100 mijë lek, paçka se kanë shkrirë gjithë jetën e tyre në punë.

Dhe kemi se çdo shqiptar, në fshat apo në qytet, kudo që të jetë do marrë minimumin jetik 200 euro për frymë. Cilido që të jetë pensioni në fshat ndën 200 euro, do jetë 200 euro dhe kjo do të ndodhë 3 muaj e parë të qeverisjes tonë.

Jo vetëm kaq, por do ketë kartën e konsumatorit e cila i jep mundësi atij të marrë mbrapsh TVSH 20% të atyre shpenzimeve që bën për ushqimet bazë dhe mallrat që blen.

Ju siguroj se, do të ndalohet dhe ndëshkohet rëndë, shitja në tregjet e Shqipërisë, të çdo ilaçi qoftë për njerëzit, qoftë për tokën, qoftë për bagëtinë që nuk tregtohet në dy vende të BE-së.

Ne do ta nisim nga disa gjëra bazë të cilat na japin sigurinë, dinjitetin. Se nëqoftëse ti e trajton tjetrin, ka shkrirë jetën e tij në punë dhe i thua, merr kaq 16 mln euro për 760 mijë pensionistë, ti tallesh me ta me cinizëm.

Po pse të tjerët paskan ku ti marrin e ti nuk paske ku ti marrësh. Pse kryeministri i Kosovës, jep 100 mln euro për pensionistët dhe ka gjysmën e pensionistëve të Shqipërisë dhe gjysmën e buxhetit të Shqipërisë.

Çfarë ndodhi? Në vitin 2013, pensioni mesatar në Shqipëri ishte 143 mijë lek.

Pensioni mesatar në Mal të zi ishte 138 mijë lek. Sot pensioni mesatar në Mal të Zi është 450 mijë lek.

Po si u rritën, si erdhi kjo. Po sigurisht kryeministri i Malit të Zi, mori para nga buxheti dhe i vuri për pensionistët. Nuk u tha atyre se kaq është fondi dhe rrini me këtë.

Nuk e bën njeri këtë, nuk e bëmë ne.

Ju jeni dëshmitar. Erdhëm, e gjetëm pensionin minimal në fshat 36 mijë lek. E rritëm 82 mijë lek, i morëm nga buxheti dhe i vumë tek fondi i pensioneve. Dhe prap ne do i marrim dhe do i vemë në fond të pensioneve.

Çfarë ndodh tjetër me ju?

Subvencionet. Çdo shtet, absolutisht çdo shtet subvencionon fermerin, i jep para në dorë për atë që mbjell, që korr, për bagëtinë që mbarështron, për fidanët që mbjell.

Dhe asnjë shtet nuk humbet nga kjo. Jo. Ato kthehen në prodhim, mirëqenie, kthehen për familjet, për shoqërinë.

Ky subvencionin vetëm që bëri, hapi kufijtë për Serbinë me ‘Ballkanin e Hapur’ se tha pret kamioni aq e kaq, marrëzira dmth. Dhe mallrat e Shumadisë, prodhimet e Banatës, që kanë të paktën 8 herë më shumë subvencione se Shqipëria, vërshojnë në Shqipëri.

Natyrisht fermeri shqiptar me një fermer që subvencionohet 8 herë më shumë, cilido qoftë ai, nuk ja del ta përballojë. I del me çmim shumë më të lartë.

Bëri dhe tjetrën. Grumbulluesve ju vuri TVSH asimetrike në mënyrë që ata të blinin prodhimet e importuara dhe jo të vendit.

Dhe tani, këto bënin që mijëra kuintal e tonelata mallra vendi të kalben dhe fermeri të mos mbjellë më, të iki, të largohen, të falimentojë.

Me mijëra ferma, më mijëra sera. Prodhimi bujqësor ka rënë.

Çfarë do bëjmë ne?

Ne vitin e parë jemi këtu, ua jap fjalën që subvencionin për ju do ta ngremë në nivelin e Maqedonisë, Kosovë, Mal i Zi dhe Serbisë, nivel që është 5 herë më i madh se ky sot.

Do subvencionojmë çdo fidan që mbillni.

Do subvencionojmë çdo lopë, dele, apo dhi.

Do subvencionojmë çdo njësi prodhimi që merrni nga toka juaj.

Taksa për grumbulluesit merr fund, do jetë simetrike si në shitje dhe blerje, çka do thotë ju do merrni mbrapsh TVSH e shitjes dhe nuk do e marrin grosistët.

Do e merrni ju se është e juaja. Është pra një sistem krejt tjetër ky.

Për ne nuk ka Shqipëri të zhvilluar pa fshat të zhvilluar.

Nuk ka Shqipëri të zhvilluar me fshat të braktisur.

Nuk ka tokë më pjellore se sa toka e Shqipërisë, është nga më të mirat që ekziston.

Të tjerët e kthejnë shkretëtirën në tokë pjellore.

Këta tokën pjellore e kthejnë në shkretëtirë. Kjo është e vërteta”, u shpreh Berisha.

Share it :