Berisha në njësinë 5: Në vitin 2013 ne e lamë Shqipërinë me shpresë, por tani vendi po braktiset masivisht!
Kryetari iPD, Sali Berisha është pritur me entuziazëm në takimin në njësinë nr.5 në Tiranë. Berisha tha gjatë fjalës së tij se, Në vitin 2013 ne e lamë Shqipërinë me shpresë, por tani vendi po braktiset masivisht!
“Të dashur qytetare dhe qytetarë të Tiranës, të pranishëm në këtë sallë, përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, ndaj demokrateve dhe demokratëve, qytetareve dhe qytetarëve të Tiranës për këtë përkushtim të jashtëzakonshëm që dëshmoni në këto momente historike për fatet e Shqipërisë, për fatet e kombit, për ekzistencën e këtij kombi si komb me të ardhme.
Mbarë kombi shqiptar i ka sytë tek ju, i ka sytë tek Tirana, e cila është zemra dhe truri i kombit.
Në këtë kuadër, kurrë ndoshta një mision kaq të rëndësishëm nuk ka pasur secili prej nesh.
Unë kam sot shumë nder dhe kënaqësi të paraqes sot para jush tre përfaqësues të shkëlqyer, dinjitozë. Dy zonja të nderuar dhe një zotëri.
Zonjën Erisa Bajaziti, e rritur jashtë Shqipërie, e shkolluar dhe e mirëvendosur në botë akademike të vendit ku jeton, por thirrjes së vendit të vet, thirrjes së kombit të vet, iu përgjigj, la çdo gjë dhe erdhi me vullnetin më të mirë për t’u përfaqësuar ju në parlamentin shqiptar.
Zonjën Ilda Zhulali, një nga vajzat, nënat, motrat, bashkëshortet shqiptare që u shkollua jashtë, por zgjodhi që të gjithë energjinë, të gjithë projektin e saj, t’ia kushtojë Shqipërisë, të kthehet dhe të ndërtojë këtu jetën, të ndërtojë ëndrrën e vet dhe të luftojë për realizimin e saj. Ilda Zhulali është zëri juaj kudo.
Akil Krajën, një përfaqësues dinjitoz i brezit të tij, i cili pas shkollimesh në shkollat më të mira, ofertash nga më të shumtat, zgjodhi Shqipërinë, zgjodhi PD-në.
Të tre ketë, duhet të themi të vërtetën, që momentet më të para të agresionit ndaj PD-së, qëndruan të vendosur, qëndruan në këmbë në një betejë që tashmë i bën nder çdo shqiptari, çdo demokrati.
I dashur Belind, udhëheqësi politik i Tiranës, i dashur kryetar i degës, duhet t’u shpreh nderimin më të madh, vlerësimin më të lartë dhe mirënjohjen për udhëheqjen që ju po i bëni kësaj fushate elektorale në Tiranë si udhëheqës politikë dhe keni arritur me vendosmërinë tuaj të krijoni një dallim të madh midis kësaj fushate, fushate shprese, fushate besimi, fushate që ecën drejt fitores, krahasuar me fushatën tjetër, të cilit ia thanë sheshin edhe socialistët, nuk i dolën”, tha Berisha.