Dy kompani të lidhura ngushtë me qeverinë e Edi Ramës, “Salillari” dhe “2T” e vëllait të ish-komandantit jetëgjatë të Gardës gjatë mandave të Rilindjes, Gramoz Sako, janë pjesë e fituesve të një tenderi me vlerë rreth 2.5 milionë euro për asfalt elektoral, të zhvilluar nga kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu.
Mbi këtë tender, por edhe të tjerë të ngjashëm, janë ngritur dyshime të forta nga opozita për abuzime me fondet dhe ligjin elektoral.
Pak ditë më parë, më konkretisht në 6 Prill 2025, kandidati i Partisë Demokratike në Lezhë, Gjin Gjoni, denoncoi publikisht kryerjen e punimeve për asfalt elektoral nga Bashkia e Lezhës, pa asnjë shenjë dalluese dhe pa një procedurë publike.
Denoncimi i Gjonit duket se merr konfirmim indirekt nga vetë bashkia e drejtuar nga Pjerin Ndreu. Rreth 10 ditë pas deklaratave të tij, më saktësisht në 14 Prill, Bashkia e Lezhës shpall rezultatet e tenderit me objekt “Sistemimi dhe Asfaltimi i Rrugëve Rurale në administrim të Bashkisë Lezhë”.
Procedura e firmosur nga vetë kryebashkiaku Ndreu ka fond limit 2.6 miliardë lekë të vjetra ose mbi 2 milionë euro.
Për kryerjen e këtij shërbimi janë shpallur fitues disa operatorë ekonomikë. Mes tyre dallohen “Salillari” e Pëllumb Salillarit dhe “2T”, me aksioner kryesor Artan Sakon, vëllain e ish-drejtuesit të Gardës së Republikës, Gramoz Sako.
Kompania “Salillari” aktualisht është në gjykim, pasi është akuzuar nga Prokuroria e Tiranës për ndërtim të paligjshëm në një godinë të lartë, në zonën e preferuar të Liqenit të Thatë, në kryeqytet.
Pavarësisht situatës problematike penale, Salillari vijon të përfitojnë miliona euro nga strukturat qeveritare dhe vartësit e kryeministrit Edi Rama në qeverisjen vendore.
Nga ana tjetër, edhe “2T” e Sakos gjithashtu ka përfituar miliona euro në tenderat publikë qeveritarë.
Partia Demokratike ka denoncuar publikisht dhe zyrtarisht skemat e institucioneve qeveritare për ndërhyrje flagrante në fushatën zgjedhore me asfaltin elektoral.
Këtë të mërkurë, anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Arjan Hoxha, denoncoi para Prokurorisë së Posaçme heshtjen e këtij institucioni për manovrat e asfaltit elektoral dhe i bëri thirrje prokurorëve që të veprojë menjëherë për të ndalur maskaradën qeveritare./ Syri.net
