Vokshi: Rama nxit dhunën! Do të ndëshkohet me votë nga gratë dhe vajzat më 11 maj!

Vokshi: Rama nxit dhunën! Do të ndëshkohet me votë nga gratë dhe vajzat më 11 maj!

Kryetarja e LDG, deputetja Albana Vokshi, gjatë fjalës së saj në takimin e kryetarit të PD, Sali Berisha me kandidatet dhe gratë demokrate tha se, ky takim është një dëshmi e angazhimit të Partisë Demokratike për të fuqizuar zërin e grave në politikë dhe në vendimmarrje. Ajo kritikoi ashpër gjuhën fyese dhe nxitëse të dhunës që, sipas saj, përdoret nga kryeministri Edi Rama për të larguar vëmendjen nga problemet reale të qytetarëve.

Ajo propozoi që një nga masat e para që Partia Demokratike do të ndërmarrë kur të vijë në qeveri pas 12 majit, të jetë krijimi i një skeme mbështetëse për moshën e tretë duke siguruar pagesë për ata që kujdesen për prindërit e moshuar brenda familjes, në mënyrë që puna e tyre, sot e papaguar, të njihet dhe të vlerësohet në të ardhmen.

“Faleminderit për këtë iniciativë për të na mbledhur, si gratë kandidate ashtu edhe aktivistet e PD-së.

Sa i përket fjalorit që ka përdorur Rama këto kohët e fundit, unë nuk besoj se është i rastësishëm. Përkundrazi, është i qëllimshëm, për të mbuluar problematikat e shumta me të cilat përballen qytetarët çdo ditë, dhe për të shmangur vëmendjen nga to, duke e përqendruar tek ajo që thotë ai vetë.

Unë nuk arrij të kuptoj se si një grua, një nënë, një prind, mund të hedhë një votë për Ramën, kur ai nxit dhe shtyn të rinjtë të përfshihen në sjellje të papranueshme, siç janë kërkesat për foto nudo, sharjet, thirrjet për ndarje nga partnerët, përçmimi dhe banaliteti i diskursit të tij. Kjo gjuhë është tërësisht e papranueshme.

Nxitja që ai u bën fëmijëve dhe adoleshentëve për t’u marrë me çështje që nuk duhet t’i prekin fare, nuk është thjesht një fjalor i papërshtatshëm është një nxitje drejt dhunës në familje. Arroganca, dhuna verbale dhe psikologjike që ushtron Edi Rama është kthyer në model për të rinjtë dhe për burrat brenda familjeve të tyre. Ai duhet ndëshkuar me votë nga të gjitha gratë dhe vajzat.

Për t’u rikthyer tek çështja që shumë shtëpi janë bosh… Unë kam ecur këto ditë në Kamëz dhe është e vërtetë që fushata “Derë më derë” është më efektive, sepse shoh dhe ndiej që njerëzit njohin programin e PD-së. Edhe ata që janë të lëkundur binden, sepse ky është një program më i mirë se ai i PS-së. PS-ja nuk ka program ka vetëm një fjalor të dhunshëm dhe një retorikë që rrit tensionin psikologjik dhe verbal.

Dua të bëj një propozim që të mund ta shqyrtojmë kur të jemi forcë qeverisëse pas 12 majit. Një fenomen që hasim gjithnjë e më shumë është ai i prindërve të moshuar që jetojnë vetëm, pa fëmijë, nipa apo mbesa. Rinia ka ikur dhe vazhdon të largohet.

Propozojmë që të shqyrtohet mundësia për të paguar kujdesin ndaj moshës së tretë nëse kanë në familje fëmijë apo persona që mund të kujdesen për ta, kjo punë që sot është e papaguar, nesër të jetë e paguar. Që mosha e tretë të ndiejë se ka një rol dhe një vlerë në familje”, tha Vokshi.

Share it :