Europa nuk ka nevojë për një sekser pasaportash.
Nga Belind Këlliçi
Edi Rama nuk ka asgjë në dorë.
Pa bilanc, pa ndonjë arritje të rëndësishme në fushën ndërkombëtare, pa investime madhore apo rritje të nivelit të rrogave, Edi Rama flet për pasaportën e BE-së, njëjtë si mashtruesit që rrinë afër ambasadave duke ju premtuar kalimtarëve pasaporta fallco për të kapur ndonjë lek.
Ai e di shumë mirë se pasaporta e BE-së nuk është në dorën e tij.
Pasaporta e BE-së është finalizimi i integrimit europian, mbyllja e të gjithë kapitujve të acquis communautaire.
Mbi të gjitha, është përafrimi i standardeve ligjore, administrative, ekonomike të Shqipërisë me BE-në.
Çfarë ka bërë Edi Rama në 12 vite për ta përafruar nivelin e pagave dhe pensioneve me atë të BE-së? Është tallur me “bonusin” e pensionistit, që nuk mjafton as për kafe.
Çfarë ka bërë Edi Rama për të përafruar standardet e bujqësisë shqiptare me atë të BE-së? Pulën me salmonelë, mandarinat me pesticide dhe fondet e IPARD-it për vilat strategjike.
Çfarë ka bërë Edi Rama për të përafruar standardin e shëndetësisë me atë të BE-së? Ka si rezultat koncesionet e Ilir Beqjas, Tiren e Covid-it dhe Buldozerin e onkologjikut.
Edi Rama e di shumë mirë se pasaporta e BE-së nuk është në dorën e tij. Prandaj e ka atë si premtimin e vetëm elektoral. Prandaj ai nuk flet për gjërat për të cilat vërtet mund t’i kërkohet llogari.
Ëndrrën e “Shqipërisë si gjithë Europa”, ai kërkon ta shesë si “shqiptarët të gjithë jashtë Shqipërisë”.
Por kjo është një gënjeshtër tepër e trashë, edhe për Edi Ramën.
Europa nuk ka nevojë për sekserë apo kontrabandistë pasaportash.
Ka nevojë për seriozitet, shtet funksional, institucione të forta, partnerë solidë.