Pushteti kontrollon median më shumë se gazetarët’/ Hoxha: Qyno u godit se po zbulonte përfshirjen e grupeve kriminale në zgjedhjet 2021
Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, komentoi goditjen ndaj kolegut të tij Elton Qyno, duke thënë se ajo ndodhi në një kohë kur Qyno po publikonte fakte që lidhin krimin me pushtetin.
Sipas Hoxhës, Qyno po dokumentonte përfshirjen e grupeve kriminale në zgjedhjet e vitit 2021 dhe mënyrën si u sigurua mandati i tretë. Ai theksoi se gazetari nuk po bënte analizë politike, por thjesht po tregonte fakte që të çonin drejt një të vërtete shqetësuese.
Hoxha përmendi edhe deklaratën e Nuredin Dumanit: “Do ta ndezim flakë Kukësin për zgjedhje?”, si dëshmi e përfshirjes së krimit në procesin zgjedhor. Ai kritikoi mungesën e hetimeve për krimet elektorale, pavarësisht provave dhe burgosjes së disa grupeve kriminale. Gazetari u ndal edhe te presioni ndaj gazetarëve investigativë dhe kontrolli që, sipas tij, pushteti ushtron mbi median. Gjithashtu, ai tha se në rastin e institucioneve që flasin për zbatimin e ligjit, kemi të bëjmë me hipokrizi, pasi vetë janë kapur në shkelje flagrante.
Hoxha: Goditja ndaj Elton Qynos është bërë në një moment kur Eltoni po publikonte të dhëna të cilat po tregonin lidhjet e grupeve kriminale me pushtetin dhe sidomos përfshirjen e tyre në procesin zgjedhor 2021.
Pra, po tregonin si ishte marrë mandati i tretë. Eltoni në fakt po bënte detyrën si gazetar, po nxirrte thjesht faktet, nuk po i bënte interpretim as analitik as politik, siç po e bëj unë tani, por të gjitha ato që po nxirrte Eltoni në ato momente, të çonin drejt kësaj rrugë.
Madje dhe vetë Nuredin Dumani thotë: Do ta ndezim flakë Kukësin për zgjedhje?
Pra, ky ishte problem tjetër pse ishte nën shënjestër. Sepse kishim kapur litarin dhe litari pak nga pak, pak nga pak po na çonte atje ku ishte kapur litarin, dhe ky është një problem shumë i madh.