ByPass-i i Vlorës prej 6 muajsh i bllokuar/ PD apel SPAK: Heto aferën 50 mln euro
Kandidati për deputet i PD-ASHM, z. Atird Hoxha dhe Kryetari i PD Dega Vlorë, z. Hysni Sharra, denoncojnë mos përfundimin e punimeve në Bypass-in e Vlorës: “50 milionë euro të investuara, rruga mbetet e bllokuar dhe e rrezikshme”
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë e Madhe (PD-ASHM), z. Atird Hoxha, së bashku me Kryetarin e Partisë Demokratike, Dega Vlorë, z. Hysni Sharra, kanë denoncuar publikisht mos përfundimin e punimeve në Bypass-in e Vlorës, një investim prej mbi 50 milionë euro që vijon të jetë i bllokuar prej më shumë se gjashtë muajsh.
Ata ngritën shqetësimin e madh për situatën e këtij projekti jetik për qarkullimin dhe zhvillimin turistik të qytetit. “Në prag të sezonit turistik, kur Vlora pritet të presë mijëra vizitorë, Bypass-i që duhej të ishte në funksion, vijon të jetë i pambyllur dhe jashtë çdo standardi të sigurisë,” u shpreh z. Hoxha.
Ndërkohë, kryetari Sharra theksoi mungesën e sinjalistikës dhe tabelave informuese, duke e konsideruar këtë një rrezik serioz për qytetarët që lëvizin në këtë segment. “Asnjë paralajmërim, asnjë tabelë ndaluese. Rruga është kthyer në një burim potencial aksidentesh për qytetarët që nuk janë të informuar,” paralajmëroi ai.
Duke e cilësuar këtë një aferë që ngre shumë pikëpyetje, përfaqësuesit e PD-ASHM i bënë thirrje organeve kompetente, në veçanti Prokurorisë, që të nisë hetimet për të zbuluar arsyet e vonesës dhe shkaqet që kanë sjellë këtë bllokim të paarsyeshëm të një investimi publik me vlerë kaq të madhe.