Tre afera me dëm mbi 12 milionë euro, Kalaja kallëzon në SPAK Manjën dhe disa zyrtarë

Tre afera me dëm mbi 12 milionë euro, Kalaja kallëzon në SPAK Manjën dhe disa zyrtarë

Kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD dhe kandidatja për deputete, Adriana Kalaja, deklaroi sot para SPAK se ka depozituar një kallëzim të ri penal për disa zyrtarë të lidhur me afera të rënda korruptive. Sipas saj, 6 milionë euro nga taksat e qytetarëve janë përdorur në mënyrë të paligjshme për Giro d’Italia.

Afera e dytë lidhet me pagimin e 4.5 milionë eurove për të ashtuquajturin “Kopshti i Edenit” në Kryeministri. Ndërsa e treta, sipas Kalasë, ka të bëjë me shpenzimin e 1.5 milionë eurove për Konferencën Botërore të Drejtësisë, e planifikuar për vitin 2027. Ajo akuzon qeverinë për mungesë totale transparence dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm brenda e jashtë vendit.

Deklarata e Kalasë

Ulsi Manja dhe disa zyrtarë të tjerë të cilët nuk janë identifikuar nga ne, por që kanë lidhje direkte me veprat penale të shpërdorimit të detyrës, të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, të pastrimit të produkteve të veprave penale etj.
Vepra penale të cilat janë konsumuar në pagimin nga taksat e qytetarëve shqiptarë, të shumës 6 milionë euro për Giro d’Italia.

Afera e dytë lidhet me pagimin e një shume marramendëse prej 4.5 milionë euro, dhe që quhet Kopshti i Edenit në Kryeministri.
Dhe e treta, pagimin e një shume po kaq të madhe në dëm të interesit publik që është 1.5 milionë euro dhe që lidhet me Konferencën Botërore të Drejtësisë. Për atë, një personi që e ka shkatërruar drejtësinë shqiptare, po mendon sesi të thërrasë këtu një konferencë botërore të drejtësisë në vitin 2027.

Për të treja këto, ne kemi sjellë argument bindës, fakte dhe prova sesi është lobuar për t’u paguar një shumë kaq e madhe në dëm të interesave të publikut, sesi nuk ka asnjë transparencë në mënyrën sesi është bërë përzgjedhja e këtyre shpenzimeve.

Dhe e fundit, për mënyrën sesi paguhen rreth 12 milionë euro nga paratë e taksapaguesve, qytetarëve shqiptarë, për të ushtruar ndikim të paligjshëm brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë me fokusin kryesor për qëndrimin në pushtet me çdo mënyrë, me çdo kusht nga ana e Kryeministrit Rama.

Ne sot i sjellim rastin më të mirë Altin Dumanit për të treguar që është në lartësinë e detyrës, në lartësinë e Kushtetutës për të kontrolluar dhe mbrojtur paratë publike.

Share it :