Astir dhe Yzberisht, aty ku shkollat “ngrihen” vetëm për fushatë
Përpos premtimeve ndër vite por edhe sot, në Astir dhe Yzberisht mungojnë kopshtet dhe shkollat publike
Me çantë me libra në shpinë, mbesa 8-vjeçare e Sanije Brashës zbret përtueshëm nga një furgon që e dërgon dhe merr çdo ditë nga shkolla “Sabaudin Gabrani” në afërsi të 21 Dhjetorit në zonën e Astirit, 3.5 kilometra largësi, shpesh mes kaosit të trafikut. “Shumë keq është çështja e shkollës për fëmijët, e kemi problem kryesor”, thotë për Faktoje.al 63-vjeçarja, që gjithsesi refuzon t’i bëhet një foto, me “argumentin” se: “nuk dua të ngatërrohem me politikën në këtë kohë zgjedhjesh”.
Punimet
Rreth 300 metra larg vendit ku Sanija pret e përçjell mbesën, punohet ngadalë nga një ekskavator i vogël për sistemimin e truallit të Shkollës së re 9-vjeçare, vend të cilin e vizitoi pak ditë më parë, kryeministri Rama, kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani dhe Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, ndërsa në dy shkollat e tjera të premtuara, trojet e tyre mbulohen nga mbetjet dhe ferrat.
Problematika
Për shumë vite banorët e dy lagjeve të kryeqytetit me rreth 70 mijë banorë detyrohen t’i dërgojnë fëmijët në shkollat publike në Kombinat, dhe dy shkollat e tjera, “Sabaudin Gabrani” dhe “Gustav Majer”, që ndodhen përkatësisht pranë 21 Dhjetorit dhe ish-Parkut. Në këtë zonë ka vetëm çerdhe publike, ndërsa mungojnë objektet për kopshtet, asimin parashkollor, ciklin e ulët, 9-vjeçar dhe të mesëm.
Shkolla për fushatë
Për zonën e Yzberishtit dhe Astirit është premtuar dhe parashikuar prej tetë vitesh ndërtimi i tre shkollave të reja, nga cikli fillor, deri në arsimin e mesëm. “Ajo shkollë, që ne shohim sot është sipas moduleve që ne kemi për shkollat e reja, ku e maksimizojmë hapësirën për të pasur sa më shumë klasa dhe kapacitet, planifikohet për 900 nxënës për ciklin 9-vjeçar dhe nga ana tjetër e rrugës do të jetë kopshti dhe çerdhja për më shumë se 250 fëmijë, duke pasur 2 klasa çerdhesh dhe 4 klasa kopshti, ” shpjegoi për kryeministrin, kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani.
Trualli
Tre ditë nga prezantimi publik, mesditën e së mërkurës (30 Prill) në këtë zonë shihen disa makina të tonazhit të rëndë që qëndrojnë të parkuara dhe një ekskavator i vogël që sistemon pjesën perëndimore të truallit ku parashikohet ngritja e objektit arsimor.
Ne foto: Hyrja kryesore e kantierit në Astir ku pritet të ndërtohet shkolla 9-vjeçare
Vlera e ndërtimit të kësaj shkollë është 297.893.376,48 lekë me TVSH me investitor Bashkia Tiranë dhe afati u punimeve parashikon 12 muaj kalendarike. Puna vijon, por duket me intensitet të ngadaltë, ndonëse afati parashikon përfundimin e objektit brenda 12 muajve.
Në foto tabela e projektit, vlera dhe afati i përfundimit të punimeve
Premtime të riciklueshme
Kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, përveç shkollës në Astir, solli si “model” edhe dy objekte të tjera arsimore. “Kemi dhe modelet e 2 shkollave të tjera që do të vazhdojnë më tej në Yzberisht për shkollë të mesme dhe 9 vjeçare me po të njëjtat kapacitete; shkolla e mesme është për 600 nxënës të shkollës së mesme dhe shkolla 9 vjeçare për 900 dhe pastaj njësoj çerdhja dhe kopshti në ambientin e shkollës 9 vjeçare që do t’i shërbejë zonës së Yzberishtit”, tha ajo.
Shkollat fantazmë
Po ku është “shkolla që vazhdon” në Yzberisht? Faktoje.al ishte pikërisht në zonën e përcaktuar për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare dhe të mesme në Yzberisht. Një territor i rrethuar me kangjella, por i mbushur me mbetje, pirgje inertesh dhe ferra të harlisura.
Afatet
Katër vite më parë, Erion Veliaj, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Tiranë deklaronte për tre shkolla që do zgjidhnin përfundimisht problemin në dy lagje, Yzberisht dhe Astir. “Do fillojmë shumë shpejt me 3 shkolla, 2 në një anë të Lanës, 1 në anën tjetër”, tha Veliaj në vitin 2021, pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare. Ndërsa reagimin më të fundit kryebashkiaku që ndodhet në masën “arrest me burg” e pati nëpërmjet rrjetit social Facebook. “U jam vërtet mirënjohës nga zemra banorëve që u treguan kaq të durueshëm, dhe falenderoj kolegët që punuan për ta bërë realitet këtë premtim. Mezi pres të shoh së shpejti nisjen e punës edhe për ndërtimin e gjimnazit të ri, po aq të domosdoshëm, në këtë zonë të Tiranës”.
Në foto: Zona e parashikuar për ndërtimin e Shkollës 9-vjeçare dhe të Mesme në Yzberisht
Përfundimi
Ndërtimi i tre shkollave në lagjet Yzberisht dhe Astir në Tiranë, nisur edhe nga verifikimi në terren, konsiderohet ende premtim i pambajtur. Në tetë vitet e fundit ky ka qenë premtimi kryesor, sidomos në periudhë fushatash për zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Në zgjedhjet e 2021, rreth 52% e votave në këto zona shkuan për Partinë Socialiste./ Sebi Alla, Faktoje.al