Berisha: Edi Rama i zhyti qytetarët në varfëri! Lamborghini i Noizit nuk është rroga dhe pensione!

Kryetari i PD, Sali Berisha teksa komentoi ‘luksin’ e shfrenuar të artistëve që po ndjekin Ramën nga pas, siç ishte rasti i Noizy-t në Dibër, nga Peqini tha se makina e tij luksoze, nuk është rroga dhe pensione për qytetarët dhe pensionistët.

Duke folur në takimin përmbyllës në Peqin, Berisha ndërsa solli në vëmendje garën presidenciale mes Trump dhe Harris në SHBA, njëjtë siç po vepron edhe Rama duke ndjekur shembullin e kandidates amerikane, për të cilin tha se do të marrë përgjigjen e merituar: ‘Kamala mori të gjithë Hollivudin me vete, po përfundoi atje ku e meritonte’.

Berisha: Të dashur miq, Edi Rama pasi zhyti qytetarët në varfëri, i la pensionistët në mjerim me pension mesatar 172 mijë lekë, të cilin nuk e marrin 57 përqind e pensionistëve se marrin më pak.

Pasi përzuri në 10 vite rreth 45 përqind të shqiptarëve nga Shqipëria.

Pasi ndërtoi një parajsë të vërtetë, saraje dy herë më të mëdha se vila e Enver Hoxhës. 57 metra të gjatë e kanë themelin, me kopsht katër herë më të madh se vila e diktatorit.

Duke deklaruar se kishte gjithsej 3800 euro.

Pasi u martua me një pallat në pajë, 5 kate pallati pa asnjë faturë.

Pasi zhduku në kontot e tij bankare 130 milionë euro të djegësit të Tiranës.

Pasi plaçkiti dhe grabiti 225 mijë metër katrorë tokë tek kanioni i Gjipesë në zonën më të bukur në detin Jon.

Pasi ka rrëmbyer me baxhanakun e tij qindra milionë euro tek AKSHI dhe tendera të tjera.

Pasi i dha të vëllait 38 mijë metër katrorë tokë të pronarëve tiranas tek Rrapi i Treshit.

Pra miq, tani çfarë bën? U vë perde para syve, në një akt cinik, në një akt të papërgjegjshëm u vë qytetarëve shqiptarë perden.

Dhe në vend se të japë llogari pensionistëve se pse i la me atë pension, u nxjerr marrëzitë e tij. Tallavara. U nxjerr banalitete. Organizon takime siç bëheshin në vitet ’50 që i organizonte fronti, veçmas burrat, veçmas gratë. U kthye në gjenet e të atit.

I kërkohet të vijë të ballafaqohet, refuzon.

Po pse refuzon? Sepse del hajdut para jush.

Nuk thotë një fjalë se ku janë 130 milionë euro.

Nuk justifikon dot kurrë sarajet e tij në Surrel.

Nuk justifikon dot kurrë 225 mijë tokë në Gjipe pa asnjë dokument kadastral, me falsitet, falsitet, falsitet.

Pra të gjitha këto kërkon t’u vërë perde ju. Tallet me ju, tallet me shqiptarët, merr daullen, i bie daulles.

Gjen edhe Noizin me Lamborghini.

Po Lamborghini i Noizit nuk është pensione, nuk është rroga. Ai ta gëzojë, po ç’punë ka pensionisti me të, apo si ta mashtrojë?

Po ç’punë ka i sëmuri që vdes për ilaçe?

Historia ka qenë e hidhur.

Edhe Kamala mori të gjithë Hollivudin me vete, po përfundoi atje ku e meritonte.

Çfarë i mendon ky shqiptarët? Qenie primitive, njerëz të papërgjegjshëm? Njerëz që mund t’i mashtrojë.

Kurrën e kurrës nuk janë të tillë shqiptarët, nuk janë të tilla gratë, nënat, motrat, vajzat tona.

Ndaj dhe 11 Maji është dita e qytetarit.

Është ora e vërtetë e tij.

E mençurisë, e dinjitetit, e krenarisë së tij, e shpresës, e besimit tek e ardhmja.

Votoni njishin.

Të gjithë jeni njisha.

Rrofshi ju, rroftë Peqini, rroftë Shqipëria!

Share it :