Bashkia rrit taksat për bizneset në Tiranë, audituesja Meri Lika: Masakër me taksat!
Prej disa muajsh bizneset në Tiranë janë përballur me një surprizë nga Drejtoria vendore e Tatim taksave. Për të gjithë bizneset në kryeqytet ka pasur një rritje të fshehtë të taksave, të cilën bizneset po e paguan tani me ardhjen e sezonit të pagesave. Rritja e fshehtë e taksave ka futur në kolaps bizneset, shumë prej të cilat janë cilësuar debitor e për pasojë ka nisur edhe bllokimi i llogarive të tyre bankare. Kjo rritje e taksave ishte mbajtur e fshehtë, ndërsa vjelja e tyre me tatimorë pritej të niste pas kalimit të zgjedhjeve.
Me qindra e mijëra biznese në Tiranë janë përballur me një situatë aspak normale, teksa taksat vendore nga Bashkia e Tiranës janë rritur në mënyrë të fshehtë. Pa asnjë lloj paralajmërimi bizneseve në Tiranë u janë rritur taksat, ndërsa situata është lënë në heshtje deri sa të kalonin zgjedhjet e 11 majit. Por kanë qenë të shumtë bizneset, që për shkak të kësaj rritje të fshehtë janë përballur me kolaps, pasi Drejtoria e Tatim Taksave, ka bllokuar në banka llogaritë e këtyre bizneseve. Audituesja ligjore, Meri Lika, deklaron se kjo situatë ka nisur prej muajit shtator, por efektet ndjehen këtë pranverë, që sshtë edhe sezoni i pagesës së detyrimeve.
Sipas Likës, bizneset nuk kanë qenë në dijeni të rishikimit të xhiros ditore, duke bërë që shumë prej tyre t’u bllokohen llogaritë bankare, deri dhe në ato personale.
Një lëvizje e tillë sipas auditueses Meri Lika nga ana e Bashkisë së Tiranës, nuk është gjë tjetër veçse një masakër taksash, pasi debia nuk mund të ankimohet.
Bashkia e Tiranës ka vendosur rishikimin e kufirit të xhiros ditore, nga zero deri në 2 milionë lekë që ishte më parë për bizneset, ka kaluar në 2 deri në 8 milionë lekë. Kalimi në këtë fashë, automatikisht ka ngarkuar bizneset me taksa dhe tarifa më të larta për pastrimin dhe taksën e infrastrukturës arsimore. Përpos rritjes së detyrimeve, bizneset shqetësohen edhe për mungesën e informacionit mbi natyrën e ndryshimit të kufirit.