Berisha për median greke: Rikthehem për të çliruar Shqipërinë nga Edi Rama.
Në një intervistë për median greke LiFO, ish-Presidenti i Shqipërisë dhe lideri i PD, Sali Berisha, ka komentuar zhvillimet politike në Shqipëri dhe marrëdhëniet me Greqinë, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 11 maj.
Berisha ka theksuar se marrëveshja për Zonën Ekonomike Ekskluzive (EEZ), e arritur gjatë qeverisjes së tij me Greqinë, ishte ‘më e mira e mundshme’, ndërsa ka akuzuar Kryeministrin aktual, Edi Rama, se e bllokoi atë për interesa politike dhe të jashtme.
Sipas LiFO, Berisha, 80 vjeç, ish-kardiolog dhe figurë kyçe e tranzicionit demokratik në Shqipëri, dhe shfaqet sot më i matur dhe më i shqetësuar për të ardhmen e vendit. Ai ka qenë President nga 1992 deri më 1997, Kryeministër nga 2005 deri më 2013 dhe sot vazhdon të mbetet një aktor i rëndësishëm politik.
Jam shumë i lumtur dhe shumë optimist që do të heqim qafe qeverinë e Edi Ramës, e cila nuk respekton asnjë ligj, asnjë rregull, asnjë kriter, asnjë standard”, u shpreh Berisha në intervistën për LiFO.
Gazetarët grekë e pyetën për marrëdhëniet greko-shqiptare dhe mundësinë për përmirësimin e tyre.
“Absolutisht”, u përgjigj ai. “Mund të ishin më mirë. Nuk ka asnjë arsye pse të mos jenë më mirë dhe jam thellësisht i bindur për këtë.”
Berisha përmendi nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit më 1996 me Presidentin grek Costis Stefanopoulos, duke e cilësuar si një arritje historike që zgjidhi shumë prej problemeve të trashëguara mes dy vendeve.
Media greke kujton se marrëdhëniet mes qeverisë së Berishës dhe asaj të Kostas Karamanlisit ishin të ngushta, duke kulmuar me firmosjen e Marrëveshjes për Delimitimin e Shelfit Kontinental dhe Zonave të Tjera Detare, e cila konsiderohej një sukses për të dyja palët.
Por marrëveshja nuk u ratifikua kurrë, pasi pas ardhjes në pushtet të George Papandreut në Greqi dhe ndërhyrjes së opozitës shqiptare të udhëhequr nga Edi Rama, ajo u çua në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, ku u bllokua.
“Edi Rama ishte njeriu që, sipas bindjes sime të thellë, veproi kundër interesit kombëtar të Shqipërisë, duke bllokuar një marrëveshje që ishte më e mira që mund të kishim pasur. Ishte një marrëveshje fitimtare për të dyja palët”, tha Berisha për LiFO.
Ai shtoi gjithashtu se vendimi për ta dërguar marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese mund të ketë ardhur si rezultat i presioneve të jashtme.
“Edi Rama ndoshta, nga presioni i Rexhep Tajip Erdogan, e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese,” përfundon ai.
Berisha shprehu dhe një respekt të madh për ish-Kryepeshkopin të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos.
“Ai erdhi si grek i madh dhe iku edhe si një shqiptar i madh. Ringjalli Kishën me përkushtim, në mënyrë të jashtëzakonshme”, thotë Berisha, duke theksuar se respekti për të ishte i gjerë, përtej komunitetit ortodoks.
SULMI NDAJ BELERIT
Kryetari i PD, Sali Berisha, në intervistën me median greke ‘Lifo’, zbardhi arsyen se përse Edi Rama e parandaloi Fredi Belerin që të marrë detyrën si kryebashkiak i Himarës.
Berisha theksoi se Edi Rama ka zaptuar Kanionin e Gjipesë një zonë që sipas tij, është një ndër mbrekullitë natyrore të Shqipërisë, gjë të cilën Beleri si kryebashkiak do ta parandalonte.
Ai shtoi se Kanioni i Gjipesë nuk është i vetmi rast me zaptimin e pronave, por sipas tij është një operacion i mirëfilltë mafioz ku janë të përfshirë dhe ministrat e kabinetit Rama.
“Problemi është Mafia. Gjithçka që ndodhi me Fredi Belerin është sepse ai nuk do ta lejonte Ramën të merrte Kanionin e Gjipesë, një grykë midis Vunoit dhe Dhërmiut që është një nga kanionet më të famshme në botë.
Ajo që u zbulua ishte se, pa dokumente kadastrale dhe pa dokumente konfiskimi, nëna e Edi Ramës dhe kushërinjtë e saj kishin siguruar një truall toke prej 224 mijë metrash katrorë përmes vendimeve gjyqësore.
Kur skandali shpërtheu nga një gazetar i guximshëm, Rama tha se ishte një truall toke i vendosur diku lart në mal, por trualli ishte pranë detit, menjëherë pranë Kanionin së Gjipesë, e cila është e bukur dhe ndodhet në plazh.
Ai e shënjestroi Belerin sepse nuk do ta lejonte kurrë Edi Ramën të merrte këtë tokë që nuk i përket familjes së tij. Kjo është e vërteta.
Është një operacion i pastër mafioz, dhe nuk ishte vetëm ai i Ramës, por edhe ministrat e tjerë atje, që po marrin, ndërtojnë dhe shkatërrojnë tokën e vendasve, dhe kjo është e vërteta e Shqipërisë.” tha Berisha. / Syri.net-LiFO