Cakrani: Vendimi për Irena Gjokën tregoi që ka rënë Reforma në Drejtësi! Është gjyqtarja më mediokre në këtë sistem…
Vendimi i dënimit të gjyqtares së Posaçme Irena Gjoka të dhënë vite më parë nga autoritetet e drejtësisë greke, sipas avokatit Kujtim Cakrani, ka treguar që ka rënë Reforma në Drejtësi.
Në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në SYRI TV, Cakrani tha se tashmë ka dalë në dritë ajo çfarë ai kundërshtonte që në krijim e kësaj reforme.
Kujtim Cakrani: Dje ka rënë reforma në drejtësi, sepse ka rënë sistemi dhe po ra sistemi nuk është problemi i një njeriu. Këta harruan që drejtësinë në Shqipëri e bën Roland Frasier me shokë dhe harruan që ishin këta personat që e ideuan, e bënë atë, emëruan në postet kryesore të institucioneve të reformës në drejtësi njerëzit e tyre dhe ishin të gjithë të kënaqur këta shqiptarët e mëdhenj dhe ne na bënë antishqiptar.
Me këta palaço që dalin sot aty dhe thonë që ai vendimi që ka ardhur nuk është në formën e kërkuar nga ligji. Se problemi është apo nuk është në formën e kërkuar nga ligji. Problemi është që ajo a ka pengesa ligjore, a ka gënjyer, a ka mashtruar me vendimin penal.
Sesi ka ardhur vendimi në formën e kërkuar nga ligji apo jo, kjo ka pak rëndësi. Këta duan të bëjnë devijime tani sepse u ka rënë reforma në drejtësi me Irenën, që është gjyqtarja më mediokre që mund të ketë sistemi i drejtësisë shqiptare. Njohuritë përsa i përket sistemit ajo i ka zero, nga profesionalizmi ajo është zero. Ajo është zero. Nga notere që ka qenë në vitin 1992, u bë gjyqtare në Gjykatën e Ballshit, Mallakastrës, ato të kohës. Shkoi në Fier, e hoqën për korrupsion, e riemëruan prapë e histori të kësaj natyre.
Dhe ajo drejtonte institucionin më të rëndësishëm që për mua ai institucion është detashment. Institucioni i Gjykatës së Posaçme, i shkallës së parë dhe apelit janë një ‘togat e kuqe të pushkatimit’.
Ai institucion i Gjykatës Speciale, si në të dyja shkallët janë togat e kuqe të pushkatimit. Dhe ata po pushkatojnë sot shqiptarët me vendime gjykatash pa prova. Këtë e them me bindje. Nëse janë mbushur sot burgjet shqiptare ku 70% të popullit të burgosur nga 5100 që janë, janë në paraburgim. Ndërkohë që 30% janë pa akuza në gjyq, dhe janë pa akuzë pikërisht nga këta gjyqtarë. Për këta gjyqtarë e prokurorë, janë mbushur burgjet.