DEMOKRACIA nga Florian Binaj

DEMOKRACIA nga Florian Binaj

MONOLOG:

Sot nuk dua t’ju flas për politikë.

As për probleme sociale, se ato gjithmonë të çojnë te politika.

Sot do ju flas për lulet…

E keni parasysh atë shoqen apo shokun që blen tërë gëzim një lule në vazo?

E ujit me kujdes disa ditë ose javë, pastaj i thotë shokut, kolegut, vjehrrës a fqinjit,
ma shif i çik atë lulen, se vonoj çik sot…

Vonon sot, përton nesër, ka lënë një kafe pasnesër…
…kur pas disa muajsh ose vitesh,

del në ballkon dhe lulja është e tharë.

Demokracia.

Demokracia është një vazo që disa shqiptarë luftuan për ta pasur në 90-n,
disa të tjerë kur lindën e gjetën në Ballkon.

Ka kohë që shumë nga ne besojnë se vazon e demokracisë po e ujit dikush tjetër.

Dhe flenë të qetë.

Disa madje nuk dalin fare në ballkon,
po presin që demokracinë tua tregojnë në televizor.

“Ja sa bukur po ta ujisim”.

“Ja sa e madhe është bërë”.

“Ja sa gjethe të gjelbëra ka…”

Në fakt, demokracia jonë në gjitha vlerësimet ndërkombëtare nuk ekziston,

është “demokraci jo funksionale”.

Është një lule, që po thahet.

Po thahet ngadalë,
vit pas viti, e zgjedhje pas zgjedhjesh.

Se demokracia nuk vdes me plumb. Vdes me “eeeh”. Me “ça t’boj unë”. Me “të gjithë njësoj janë”.

Me “rri, mos na ngatërro”. Atje vdes. Në apati. Në indiferencë.

Sot, është ditë heshtjeje.

Po heshtja nuk është bosh. Heshtja është momenti para se të bjerë gongu. Frymëmarrja para klithmës. Qetësia… përpara se të vendosësh: do rrish ulur me celular, apo do dalësh në ballkon?

Se shiko — s’po përmendim emra. S’po akuzojmë njeri.

S’po flasim as për politikë. Por ti e di.

Ti e di shumë mirë.

Kush po e than lulen e demokracisë.

Siç ka thënë dhe profeti Bob Marli:

“Mund t’i mashtrosh disa njerëz për disa kohë… Por nuk mund t’i mashtrosh të gjithë njerëzit, për gjithë kohën.”

(ndalesë. shikim në kamera)

Nesër, është radha jote… për ta ujitur

Share it :