Hoxha denoncon krimin elektoral në Kamëz: Rakip Suli shkel heshtjen zgjedhore, shtron asfalt një ditë para votimeve!
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Arjan Hoxha, ka denoncuar asfaltin zgjedhor që po hidhet në gjashtë rrugë të zonës së Kamzës, me qëllim manipulimin e votuesve në prag të zgjedhjeve.
Ai shprehet se, ky është një akt i pastër krimi elektoral që po ndodh në fazën e heshtjes zgjedhore, nëpërmjet ndërhyrjeve të paligjshme të kryetarit Rakip Suli, në bashkëpunim me firma të lidhura politikisht, të cilat punojnë në funksion të deformimit të vullnetit të qytetarëve.
Hoxha shprehet se do t’i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe veçanërisht SPAK-ut, për të ndërhyrë menjëherë ndaj këtij akti të paligjshëm dhe për të ndalur çdo përpjekje për blerje votash nëpërmjet abuzimit me fondet publike.
Këtu po ndodh një krim zgjedhor.
Jemi në fazën e heshtjes zgjedhore, ndërkohë që Rakip Suli, në bashkëpunim me firma që punojnë vetëm për manipulimin e vullnetit të qytetarëve për ditën e nesërme, po shton dhjetëra rrugica me zhavorr “elektoral”.
Punimet po kryhen pa asnjë tabelë informuese dhe pa kontrata pune. Punonjësit, sapo u afruam, braktisën fadromat, rrugën dhe u larguan. Kam njoftuar policinë dhe shefin e komisariatit, i cili po merr masa për të ardhur në vendngjarje.
Punonjësit që ndodheshin aty deklaruan se janë punonjës të Bashkisë Kamëz dhe se po punojnë për shtrimin e rrugicave. Kam marrë ankesa nga dhjetëra qytetarë e votues të kësaj zone, të cilët shprehen se po përpiqen t’i mashtrojnë me asfalt zgjedhor.
Nuk ka asnjë tabelë pune, dhe kur kërkova kontratën për shtrimin e këtyre rrugicave, nuk u paraqit asnjë dokument. Janë gjithsej gjashtë rrugica që po shtrohen njëkohësisht, me qëllim për të ndikuar te votuesit pikërisht një ditë para zgjedhjeve.
Në çdo rast kur ka punime, zakonisht rregullohet vetëm një rrugicë, por në këtë rast po shtrihen të gjashta njëherësh, thjesht për të manipuluar qytetarët. Punimet janë ndalur, policia është njoftuar dhe po i pres në vendin e ngjarjes.
Ky është një krim zgjedhor dhe po përpiqemi të sigurojmë informacionin e nevojshëm që, në fakt, nuk ekziston. Nëse prodhojnë një dokument pas faktit, do t’i drejtohem SPAK-ut për të sekuestruar dosjet në Bashki, pasi një veprim i tillë është i paligjshëm.