Raporti i KE për zgjedhjet e 11 Majit, Eurodeputeti: Kandidatët nuk patën kushte të barabarta
Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës u diskutua sot raporti për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri, ku u evidentuan problematika të rëndësishme gjatë procesit zgjedhor.
I dërguari norvegjez Jone Blikra tha se zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar dhe se kandidatët nuk patën kushte të barabarta gara. Ai vuri në dukje shqetësimin kryesor për përfitimin e partisë në pushtet nga përdorimi i gjerë i burimeve shtetërore gjatë fushatës.
“Një nga përfundimet kryesore të raportit është se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar, dhe kandidatët nuk patën kushte të barabarta gare. Mbetet një shqetësim i madh fakti që partia në pushtet përfitoi dukshëm nga përdorimi i gjerë i burimeve shtetërore gjatë fushatës. Prandaj, është i nevojshëm përparimi në kulturën politike në kuptimin më të gjerë, për të forcuar besimin e publikut dhe për të siguruar që qeverisja e mirë të shtrihet në të gjitha nivelet e shoqërisë gjë që fillon me zgjedhje që përputhen plotësisht me standardet evropiane.” tha Blikra.
Eurodeputetja Maria Luz Martinez, e cila lexoi raportin e Asamblesë, theksoi se gjatë zgjedhjeve pati përdorim të gjerë të burimeve administrative nga partia në pushtet, çka mund t’u ka dhënë kandidatëve të saj një avantazh të papërshtatshëm.
Ajo përmendi gjithashtu presione ndaj votuesve, sidomos ndaj punonjësve të administratës publike, dhe vuri në dukje disa mangësi në zbatimin e procedurave në disa qendra votimi. Gjatë ditës së zgjedhjeve u regjistruan incidente si frikësime, ndërhyrje nga vëzhgues patronazhistë dhe shkelje të fshehtësisë së votës.
“Zgjedhjet u zhvilluan në një klimë politike shumë të polarizuar, ku kandidatët nuk garuan në kushte të barabarta. U vërejt se partia në pushtet bëri përdorim të gjerë të burimeve administrative, gjë që mund t’i ketë dhënë një avantazh. U raportuan gjithashtu presione ndaj votuesve, sidomos ndaj punonjësve të administratës publike. Dita e zgjedhjeve kaloi e qetë megjithëse u vërejtën mangësi në zbatimin e procedurave në disa qendra votimi. U regjistruan gjithashtu disa incidente si frikësime, ndërhyrje nga vëzhgues patronazhistë dhe shkelje të fshehtësisë së votës.”, u shpreh Maria Luz Martinez.
Megjithatë, sipas raportit, dita e zgjedhjeve kaloi në përgjithësi në mënyrë të qetë.
Raporti thekson nevojën për përmirësime të mëtejshme për të garantuar një proces zgjedhor të lirë, të drejtë dhe në përputhje me standardet evropiane.