Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, në një intervistë për News24, ka kritikuar ashpër partinë “Mundësia”, të drejtuar nga deputeti Agron Shehaj. Noka e cilësoi këtë parti si një “krijesë të regjimit” dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj për mbështetjen e saj.
“Nuk mund të pretendojmë se çdo partiçkë që shpik regjimi është pjesë e opozitës. Rama, duke parë se Berisha është i fuqishëm dhe po ngrihet, ka gjetur një rrugë për të krijuar këto partiçka. Avash-avash, të gjitha do të dalin në shesh. Betejën tonë e kemi me Ramën,” tha Noka.Ai prezantoi një dokument që, sipas tij, provon lidhjet e kompanisë së Agron Shehajt, “Prime Capital,” me Ajola Xoxën, bashkëshorten e Veliajt.Kjo kontratë, e vitit 2010, është mes shoqërisë ‘Prime Capital’ të Agron Shehajt dhe Ajola Xoxës për ndërtimin e vilës së saj. Le të dalë Shehaj dhe ta kundërshtojë këtë. Kjo është prova që partia e tij është një partiçkë e regjimit,” deklaroi Noka.
Pjesë nga diskutimi:
Flamur Noka: Për cilat parti të reja? Përtiçkat e Edi Ramës dhe Erion Veliajt?
Ola Bruko: Edhe partia e zotit Agron Shehaj është partiçkë?
Flamur Noka: Krijesë e Erion Velajt, nuk ia vlen të merret. Dua të tregoj një document. Ka një kontratë mes Agron Shehajt, Ildi Bejlerit dhe Ajola Xoxës për të ndërtuar vilën e Ajolës. Më thoni është partiçkë e Erion Veliajt dhe Edi Ramës? Kontratë e vitit 2010. Kompania e krijuar me 2 aksionerë.
“Edhe Luli kryetar i PD ishte, por u mor peng. Unë po flas për pengmarrje. Ne e kemi betejën me Edi Ramën. Dalja e Sali Berishës nga burgu politik i krijoi andralla të rënda Edi Ramës. Berisha ka kuota të larta ngritje, ndërsa Rama kuota të larta në ulje”.
Ndërsa për vendimin për Berishën drejtuesi i lartë i PD tha se, “mediat e Ramës nuk kanë çfarë trillojnë. Vettingu e ka nxjerrë Berishën më të pastër para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, përjashtuar sektin Soros”. “Sot kishit dokumentet, Taulanti në EncroChat cakton tenderat dhe kush do burgoset. SPAK i partisë po mbulon gjurmët”, tha Noka.