Trump ndërpret përfundimisht fondet për komunitetin LGBTI në Ballkan

Gjatë ditëve të tij të para në detyrë, presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar shqetësim të gjerë me disa nga urdhrat ekzekutivë që ai ka nënshkruar.

Disa nga diktatet e tij kanë qenë deklarative, si ndryshimi i emrit të Gjirit të Meksikës në Gjiri i Amerikës. Por të tjerat kanë pasur pasoja më konkrete larg Uashingtonit.Njëri prej tyre, Urdhri Ekzekutiv për Rivlerësimin dhe Riorganizimin e Ndihmës së Jashtme të Shteteve të Bashkuara, ka pezulluar të gjitha projektet e financuara nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, dhe Departamenti i Shtetit.

Urdhri, i cili hyri në fuqi më 27 janar, ndalon aktivitetet e financuara nga SHBA-ja për tre muaj, derisa të përfundojë një proces vlerësimi “për t’u siguruar që ato janë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA-së nën axhendën Amerika e Para”, thuhet në një deklaratë të USAID.

Kjo ka prekur menjëherë një sërë organizatash në Bosnjë dhe Hercegovinë, Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Serbi, grupi i shteteve të quajtur “Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor” nga organizatat ndërkombëtare.

Nga viti 2020 deri në fund të vitit 2024, Shtetet e Bashkuara kanë investuar 1.7 miliardë dollarë në ndihmë në Gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor, duke mbështetur organizata të shoqërisë civile dhe institucione shtetërore dhe projekte, duke filluar nga të drejtat e njeriut dhe media e deri tek efikasiteti energjetik.

Shumë prej organizatave në këto vende janë njoftuar zyrtarisht se të gjitha projektet janë ndërprerë për tre muaj deri në përfundimin e periudhës së vlerësimit.

Ndërsa SHBA-ja ka mbështetur mijëra aktivitete në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ende nuk dihet numri i saktë i projekteve të prekura.

BIRN kontaktoi zyrat lokale të USAID-it në të gjashtë vendet, por të gjitha e ridrejtuan pyetjen në selinë e agjencisë në Uashington, e cila u përgjigj duke dërguar një link me deklaratën e saj për shtyp.

“Presidenti Trump deklaroi qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të japin më verbërisht para pa ndonjë dobi për popullin amerikan. Rishikimi dhe riorganizimi i ndihmës së huaj në emër të taksapaguesve punëtorë nuk është vetëm gjëja e duhur për t’u bërë, por është një imperativ moral”, tha USAID.

Ndërsa shumë prej tyre hezitojnë të flasin hapur, një burim që punon me USAID-in i tha BIRN se “ka të ngjarë që programet që synojnë të drejtat LGBTI ose organizatat feministe do të ndërpriten përfundimisht” pas periudhës së vlerësimit.

I njëjti burim shtoi se të punësuarit në USAID dhe organizata të tjera të financuara nga Departamenti i Shtetit janë njoftuar se do të vazhdojnë të paguhen edhe për tre muajt e ardhshëm, por nuk u lejohet të punojnë në asnjë aktivitet me grantmarrësit.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *