Rënie e frikshme, eksportet e vajit të ullirit bien me 97%

Vijon të vështirësohet situata me eksportet e vajit të ullirit edhe për fillimin e këtij viti. Prej muajit dhjetor, operatorët përpunues-grumbullues dhe eksportues pohojnë se eksportet pothuajse janë bllokuar.

Shkak, sipas tyre, vazhdon të mbetet çmimi i ulët, veçanërisht për vajin rifuxho nga 350 deri në 400 lekë për litër që ofrohet prej grosistëve italianë. Ndërsa vaji i ambalazhuar, që më parë eksportohej në sasi të konsiderueshme në SHBA, po “mundet” nga prodhimi i Greqisë.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, sasia e eksportuar e vajit të ullirit në muajin janar 2025 është 11,206 kg. Krahasuar me muajin janar 2024, sasia e eksporteve është pakësuar 97%.

Ndërsa në vlerë, eksportet e muajit janar 2025 u tkurrën me 98% krahasuar me muajin janar të vitit paraardhës.

Por rënia e eksporteve të vajit të ullirit ka nisur që në vitin 2024, veçanërisht në muajt tetor-dhjetor, periudhë kur niveli i eksporteve të vajit arrin në sasinë e 17,4 mijë kg, më e ulët se në vitin 2020 të pandemisë, kur u eksportua një sasi prej 28 mijë kg.

Në total, sipas të dhënave të Doganave u eksportua një sasi prej 2,3 milionë kg vaj ulliri në vitin 2024. Krahasuar me 2023, eksportet kanë rënë me rreth 62%. Në vlerë, për 2024-n, tkurrja e eksporteve është rreth 44%.

Numri i operatorëve eksportues për 2024 ishte 41, më së shumti grumbullues dhe eksportues, përfshirë edhe persona fizikë.

Në vitin 2023, rritja e lartë e eksporteve, kryesisht për vajin e paambalazhuar (rifuxho) drejt Italisë, u nxit pas bumerangut të krijuar me mbiprodhimin e vitit 2022, kur fermerët nuk gjenin treg për ta shitur vajin e ullirit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2023 u prodhuan 28,3 mijë tonë vaj ulliri. Krahasuar me vitin paraardhës prodhimi ra me 3%. Sasia e vajit të ullirit të prodhuar në 2022 rezulton të jetë më e lartë në 15 vitet e fundit.

Operatorët vijojnë të jenë të bllokuar për eksportin e vajit të ullirit

Operatorët grumbullues dhe eksportues pohojnë, ende të shqetësuar, bllokimin e eksporteve që ka nisur në muajin dhjetor 2024.

Pas disa sasive të ulëta që ata eksportuan në muajt tetor-nëntor, që përkoi me kohën e daljes së prodhimit të ri të vajit të ullirit, situata për ta u vështirësua më tej.

Aldo Jolla, përpunues dhe eksportues i vajit të ullirit në zonën e Belshit, pohon për “Monitor” se edhe për muajin janar, eksporti i vajit mbetet i bllokuar. Sasia më e madhe e eksporteve prej tij është drejt Italisë, si vaj i paambalazhuar.

Z. Jolla ka ndalur eksportin që në muajin dhjetor, për shkak të çmimit të ulët të ofruar prej grosistëve italianë.

“Përveç një sasie të ulët që eksportuan në muajin nëntor, situata vijon të jetë e ngjashme edhe për muajt janar-shkurt. Deri tani nuk kemi eksportuar asnjë pikë vaj ulliri. Shkak është çmimi i ulët që kërkohet nga grosistët italianë.

Aktualisht prej tyre po kërkohet të grumbullohet vaj rifuxho për eksport i llojit ekstra i virgjër me çmim 350 lekë për litër, nga 450 deri në 500 lekë për litër që u kërkua në muajin dhjetor. Çmimi i kërkuar është nën koston e prodhimit.

Rënia e çmimit është ndikuar nga konkurrenca e vajit të Spanjës që po del në origjinë me çmim 3.8 apo 4.4 euro për litër”, pohon ai.

Z.Jolla pohon se fermeri shqiptar e ka të pamundur të konkurrojë me çmimin e vendeve të Europës pasi sivjet, kostoja e prodhimit ishte e lartë. “Së pari ndikuan pagesat e larta për vjelësit që varionin nga 3,000 deri në 4,000 lekë/dita nga 2,000 lekë/dita që ishin vjet.

Ata janë të detyruar t’i paguajnë shtrenjtë vjelësit, pasi nuk gjenden punonjës. Në Greqi, vjelësit po paguhen 80 euro/dita. Vendasit emigrojnë për punë sezonale drejt Greqisë nga pagesat e larta”.

Fermeri shqiptar e ka të pamundur të konkurrojë me çmimin e vendeve të Europës pasi sivjet, kostoja e prodhimit ishte e lartë. “Së pari ndikuan pagesat e larta për vjelësit që varionin nga 3,000 deri në 4,000 lekë/dita nga 2,000 lekë/dita që ishin vjet. Ata janë të detyruar t’i paguajnë shtrenjtë vjelësit, pasi nuk gjenden punonjës. Në Greqi, vjelësit po paguhen 80 euro/dita. Vendasit emigrojnë për punë sezonale drejt Greqisë nga pagesat e larta”.

Ai thotë se mbetet në pritje të stabilizimit të çmimeve për të nisur eksportet. “Presim që çmimet për eksport të stabilizohen, nga muaji maj me fillimin e sezonit turistik kur dhe kërkesa nga restorantet do të jetë në rritje”.

Situata vijon të jetë e ngjashme edhe për Taulant Musaraj, një prej drejtuesve të fabrikës së përpunimit, grumbullimit dhe eksportit të vajit të ullirit në fshatin Cakran të Beratit.

Nga prodhimi i ri, ai ende nuk ka eksportuar asnjë sasi vaji të grumbulluar nga fermeri, me 600 lekë për litër.

Vjet eksportoi drejt Italisë 19 bote, secili me sasi 20.5 tonë vaj. Në muajin gusht 2024, çmimi i vajit të ullirit rifuxho për eksport drejt Italisë prej këtij operatori u bë me çmim 820 lekë për litër.

Z.Musaraj nënvizon se çmimi i kërkuar aktualisht nga grosistët italianë është 500 deri në 550 lekë për litër.

“Çmimi i shitjes nën 600 lekë për litër është i paleverdishëm për eksport, pasi sivjet, kostot e prodhimit të vajit u rritën nga pagesat e larta për punonjësit. Jemi ende në pritje të stabilizimit të çmimit për të nisur eksportin”.

Probleme me eksportet vijojnë të hasin edhe eksportuesit e vajit të ambalazhuar në SHBA.

Kastrijot Çuedari, përpunues dhe eksportues në Berat, tha se edhe në këtë fillim viti, situata mbetet e vështirë si në muajin dhjetor 2024.

Operatorët në SHBA po furnizohen me vajin e ullirit nga Greqia, për shkak të çmimit më të lirë sesa prodhimi vendas.

Edhe Ylli Hajdini themelues i kompanisë “S.E.D – Borsh” më herët tha se me daljen e prodhimit të ri në muajin dhjetor nga shtete europiane, si Greqia, Spanja, përfshirë edhe vendet e Lindjes së Largët, si Maroku apo Tunizia, prodhimi vendas humbi konkurrueshmërinë për shkak të çmimit të lartë të prodhimit.

“Vaji i ullirit është blerë prej fermerëve nga grumbulluesit shqiptarë me çmim 600 deri në 650 lekë për kg apo 600 lekë deri në 610 lekë për litër. Me këtë çmim, kemi grumbulluar sasi të konsiderueshme vaji të ullirit, por jo në nivele të larta. Ndërsa çmimi i vajit të ullirit në origjinë, pra nga fermeri në shtetet europiane, si Greqi, është 4.9 euro për litër, në Spanjë 3.5 euro për litër”.

Ai renditi një sërë arsyesh, pse prodhimi vendas nuk arrin të konkurrojë fqinjët.

Sipas tij, kostot e larta të prodhimit janë jo vetëm për shkak të pagave të larta për punonjësit, por edhe nga mekanizimi i ulët që nuk nxit rritjen e rendimentit, mungesa e subvencioneve për çdo litër vaj të prodhuar nga fermeri, si në Greqi, ku shteti subvencionon fermerin 1 euro për litër dhe nga niveli i lartë i informalitetit të shitjeve në vend.

Kostot

Kostot e larta të prodhimit janë jo vetëm për shkak të pagave të larta për punonjësit, por edhe nga mekanizimi i ulët që nuk nxit rritjen e rendimentit, mungesa e subvencioneve për çdo litër vaj të prodhuar nga fermeri, si në Greqi, ku shteti subvencionon fermerin 1 euro për litër dhe nga niveli i lartë i informalitetit të shitjeve në vend.

Çmimi

Gjatë sezonit të fundit 2024/2025, Spanja, Greqia, Turqia, Portugalia etj., kanë pasur një prodhim të mbarë, që ka sjellë edhe rënie të çmimit të vajit të ullirit që eksportohet në tregjet e mëdha ndërkombëtare. Çmimi aktual për vajin ekstra të virgjër në këto vende është rreth 4.5-5 euro për kg, ndërkohë që në Shqipëri është mbi 6 euro për litër.

Enea Janko, konsulent biznesi, tha për “Monitor” se prodhuesit shqiptarë të vajit nuk janë konkurrues në tregjet e eksportit për shkak të kostove të larta të prodhimit që vjen nga çmimet e larta të shërbimeve të nevojshme, varësia e lartë nga puna e krahut dhe mungesa e automatizimit të proceseve të punës.

“Eksporti i vajit të ullirit, në kushtet që punohet në Shqipëri, varet tërësisht nga koniunkturat e tregut ndërkombëtar.

Në dy vitet e shkuara 2023 dhe 2024 u rrit sasia e eksportit të vajit nga Shqipëria, sepse vendet si Spanja dhe Italia, që dominojnë tregun botëror, patën një rënie të madhe të prodhimit për dy vite me radhë, për shkak të mungesës së reshjeve.

Gjatë sezonit të fundit 2024/2025, Spanja, Greqia, Turqia, Portugalia etj., kanë pasur një prodhim të mbarë, që ka sjellë edhe rënie të çmimit të vajit të ullirit që eksportohet në tregjet e mëdha ndërkombëtare.

Çmimi aktual për vajin ekstra të virgjër në këto vende është rreth 4.5-5 euro për kg, ndërkohë që në Shqipëri është mbi 6 euro për litër.

Një faktor është edhe mungesa e subvencioneve qeveritare, ndërkohë që prodhimi i vajit të ullirit në Spanjë, Itali, Greqi, Portugali, etj. financohet në një masë të konsiderueshme nga BE, por edhe nga fondet e qeverive të këtyre vendeve.

Një problem tjetër janë çmimet e larta të analizave laboratorike dhe mungesa e mbështetjes së fermerëve nga institucione të specializuara me informacionin e nevojshëm për ruajtjen e cilësisë së vajit të ullirit, sipas standardeve ndërkombëtare.

Cilësia e vajit të ullirit në Shqipëri dëmtohet shumë nga përdorimi i pesticideve të ndaluara, por edhe nga mungesa e depozitave të inoksit për ruajtjen e tij, si dhe nga niveli i ulët teknologjik për mbushjen dhe paketimin e vajit në shishe qelqi apo paketime të tjera të përshtatshme.

Është skandaloze kur shikon që vaji i ullirit në Shqipëri shitet rrugëve pa asnjë lloj kushti me bidonë plastikë, por është më skandaloze kur shikon që ky lloj vaji me këto lloje paketimesh dhe jashtë çdo kontrolli të sigurisë ushqimore eksportohet në vendet e BE dhe SHBA nëpër furgonë, autobusë apo edhe nëpër kontejnerë në cilësinë e konsumit personal nga shqiptarët që jetojnë në këto vende”.

Rënia e eksporteve po nxit rritjen e stokut të vajit në shtëpitë e fermerëve

Përpunuesi, grumbulluesi dhe eksportuesi i vajit të ullirit nga Belshi, Aldo Jolla, 80% të sasisë prej 80 tonësh vaj që po e mban në depozitat e inoksit e ka nga prodhimi i ullishteve të tij. Sasia tjetër e vajit të magazinuar është në pronësi të familjarëve të tij.

Sipas z. Jolla, sasia e vajit që fermeri sjell për ta mbajtur në depozita inoksi është e ulët, e ndarë sipas aciditeteve të vajit. Shkak mbetet kostoja e magazinimit dhe ruajtjes së vajit të ullirit që është e papërballueshme prej fermerëve.

Për rrjedhojë mosgjetja e tregjeve për eksport po nxit shtimin e stokut të vajit të pashitur që mbahet në shtëpi nga fermerët. Grumbulluesit vendas pohojnë se kjo mund të sjellë dëmtimin e cilësisë.

Sasia e vajit që po bllokohet në shtëpitë e fermerëve është e lartë. Ne kemi kapacitete për ruajtje, por kostoja është e lartë dhe nuk përballohet financiarisht nga fermerët. Vaji duhet të nëndahet sipas aciditeteve për t’u ruajtur në depozita inoksi.

Kjo garanton ruajtjen e cilësisë, në të kundërt nëse vaji mbahet në shtëpi në bidonë plastikë brenda pak muajve e humb cilësinë”, pohon Aldo Jolla, përpunues dhe eksportues në Belsh.

Edhe grumbullues të tjerë pohojnë se kanë kapacitete ruajtëse në kushte optimale për vajin e ullirit, por kjo nuk po shfrytëzohet plotësisht prej tyre për shkak të paleverdishmërisë së çmimit në eksport. Ndërsa kërkesa në tregun e brendshëm është mbingopur.

Nëse vaji nuk ruhet në depozita dhe ndahet sipas aciditeteve deri në muajt korrik-gusht rrezikon t’i përgjysmohet cilësia”, tha më herët Ylli Hajdini, nga kompanisë “S.E.D – Borsh”.

Krahasuar me prodhimin e muajve tetor-nëntor, në muajin dhjetor 2024 sipas prodhuesve, rendimenti i vajit është rritur ndjeshëm nga 11 litër që prodhohej për 1 kv ullinj, aktualisht po prodhohet 20 litra vaj për 1 kv ullinj.

Rritja e rendimentit u nxit nga reshjet e shumta, pas motit të nxehtë të muajit tetor.

Rriten ndjeshëm importet

Ndryshe nga ecuria e eksporteve të vajit të ullirit, importet për janar 2025 kanë shënuar rritje të ndjeshme. Sipas të dhënave të Doganave, në këtë periudhë sasia e importeve shënoi rritje rreth 30 herë më shumë se muaji janar 2024.

Në total, për vitin 2024 u importuan 419 mijë kg vaj ulliri, sasia më e lartë e importuar pas vitit 2020. Krahasuar me 2023, importet janë rritur 10 herë më tepër.

Nga të dhënat e Doganave rezulton se për 2024 ishin 52 operatorë që importuan vaj ulliri. Shumica e operatorëve importues janë rrjete supermarketesh dhe distributorë ushqimorë.

Prodhuesit pohojnë se shtimi i importeve të vajit të ullirit prej supermarketeve është nxitur nga çmimi më i favorshëm i vajit të ullirit që ofrohet jashtë dhe nga rënia e euros.

Zgjidhjet që rekomandojnë operatorët dhe ekspertët

Për uljen e kostos së prodhimit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbështet fermerët kultivues të ullinjve nëpërmjet Skemës Kombëtare të Mbështetjes nga buxheti i shtetit, me një paketë masash që nga dhënia e naftës pa akcizë dhe me paketën e investimeve për blerjen e traktorëve me qëllim mekanizimin e prodhimit.

Sipas të dhënave nga AZHBR, në vitin 2023 kanë përfituar në total 53,154 fermerë nga masa mbështetëse e naftës, nga të cilat rreth 36% e tyre ishin aplikime me ullishte përfituese (specifikisht 19,222 aplikime), me numër parcelash prej 35,808 ose 16,505 hektarë sipërfaqe me ullishte.

Nga të dhënat paraprake të vitit 2024, ka pasur rritje të fermerëve aplikues me ullishte te masa e naftës, me një numër prej 19,492 aplikimesh, me 43,870 numër parcelash dhe një sipërfaqe prej 20,208 hektarësh me ullishte.

Me qëllim rritjen e kapaciteteve të prodhimit në ferma, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përfshiu në paketën e masave mbështetëse për vitin 2024 edhe disa investimeve prioritare dhe me ndikim te fermerët, si: Mbështetje të investimeve për ndërtimin e serrave dhe stallave, për rrjeta antibreshër, mekanikë bujqësore dhe akuakulturë.

Mbështetja për mekanizimin në sektorin e bujqësisë është pjesë e paketës së investimeve, duke qenë domosdoshmëri për rritjen e rendimentit të punës dhe uljen e kostove të prodhimit.

Fermerët që kultivojnë kulturën e ullirit, duke aplikuar në Skemën e Investimeve për masën mbështetëse “Për blerjen e traktorëve, makinerive dhe pajisjeve për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale” përfitojnë grant deri në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5,000,000 lekë për subjekt.

Përfituesve të financimit nga masat e mbështetjes së investimeve u paguhet paraprakisht deri në 30% të masës së financimit të kontraktuar, kundrejt garancisë së lëshuar nga shoqëri sigurimi dhe/ose banka.

Në aplikimet e bëra në këtë skemë grantesh që përfundoi në datën 8 nëntor 2024, rreth 75% e aplikimeve ishin për mekanikë bujqësore, përfshirë edhe ullirin.

Por për fermerët, masat e dhëna rezultojnë të pamjaftueshme me qëllim uljen e kostove prodhuese dhe rritjen e konkurrueshmërisë. Ata kërkojnë dhënien e subvencioneve direkte për sasinë e prodhuar, të njëjtat masa që aplikohen edhe nga vendet fqinjë.

“Fermerët nuk mund ta përballojnë të vetëm koston e prodhimit për të konkurruar në tregjet e huaja. Me çmimin e kërkuar prej 350 lekësh për litër të vajit të ullirit, fermeri nuk arrin dot të përballojë as kostot e përdorura për pesticiditet.

Është e domosdoshme që kultivuesit e ullirit të ndihmohen me subvencione direkte për sasinë e vajit të prodhuar siç ndodh në vendet e tjera. Vetëm dhënia e naftës falas nuk e ndihmon kultivuesin e ullirit të konkurrojë në tregjet e huaja”, pohon eksportuesi i vajit të ullirit, Aldo Jolla.

Enea Janko, konsulent biznesi, tha se mundësitë për rritjen e qëndrueshme të eksportit të vajit të ullirit nga Shqipëria ekzistojnë, sidomos në SHBA që është tregu më i madh në botë për eksportet e vajit të ullirit dhe ku jetojnë mbi 100 mijë familje shqiptare, por nga Ministria e Bujqësisë po punohet shumë pak për rritjen e zinxhirit të vlerës.

“Fatmirësisht në SHBA, bashkatdhetarët tanë kanë në pronësi dhe menaxhojmë me mijëra restorante, kompani importi dhe distribucioni të ushqimeve, si dhe markete të njohura, por interesimi nga MBZHR ka qenë shumë i vogël për t’i kontaktuar dhe për të krijuar bashkëpunime me interes për rritjen e eksporteve të produkteve shqiptare.

Ndërkohë që nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, por edhe nga vetë prodhuesit, po punohet shumë pak për krijimin, zhvillimin dhe fuqizimin e markave shqiptare të vajit të ullirit, si dhe për njohjen e tregjeve, ku vaji shqiptar paraqet avantazhe konkurruese dhe për promovimin konkret të këtyre produkteve”, veçon ai.

Çfarë masash po merr Ministria e Bujqësisë?

Për zgjidhjen e problematikës së përsëritur të prodhimit të vajit të ullirit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural pohon se aktualisht është në fazën e vlerësimit të projektit që synon krijimin e konsorciumit të prodhuesve të vajit të ullirit, nëpërmjet formimit të cluster-ave (grupimeve) në rajonin e Beratit.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, projekti, me vlerë investimi rreth 900,000 USD, synon të bashkojë 50 fermerë dhe prodhues nga Qarku i Beratit, ku përveç orientimit që do t’u jepet fermerëve për përmirësim të teknikave të kultivimit dhe vjeljes, do të ngrihet stabilimenti për ruajtjen e vajit në tanke inoksi.

“Ky konsorcium do të shërbejë si një strukturë bashkëpunimi ndërmjet fermerëve, prodhuesve dhe ekspertëve të fushës, me qëllim forcimin e zinxhirit të vlerës së vajit të ullirit (ullirit të tavolinës dhe vajit të ullirit) nga kultivimi deri te tregtimi i tij në tregjet ndërkombëtare.

Ky projekt është konceptuar për të zgjidhur sfidat kryesore që përballen prodhuesit shqiptarë të vajit të ullirit, siç janë cilësia e produktit, kapacitetet e kufizuara të ruajtjes dhe ambalazhimit, si dhe mungesa e një identiteti të fortë tregtar që mund të përfaqësojë me dinjitet Shqipërinë në tregun europian.

Synimi është që konsorciumi të bashkojë rreth 50 fermerë dhe prodhues të vajit të ullirit nga rajoni i Beratit, duke krijuar një rrjet të qëndrueshëm prodhimi dhe përpunimi, ku praktikat më të mira agronomike dhe teknologjike do të jenë në qendër të vëmendjes.

Nëpërmjet trajnimeve të specializuara dhe asistencës teknike, do të përmirësohen metodat e kultivimit, përpunimit pas vjeljes dhe ruajtjes së vajit me teknologji moderne, duke siguruar një produkt me cilësi të lartë që përmbush standardet e Bashkimit Europian.

Një komponent thelbësor i projektit është ndërtimi i një qendre shumëfunksionale në një nga bashkitë e Qarkut të Beratit, e cila do të shërbejë si një stabiliment për ruajtjen e vajit të ullirit në tanke inoksi, duke garantuar ruajtjen e cilësisë dhe karakteristikave organoleptike të produktit.

Kjo qendër do të jetë e pajisur me linja të specializuara për ambalazhimin dhe paketimin e vajit të ullirit, duke e bërë atë të gatshëm për tregjet më të kërkuara ndërkombëtare.

Një tjetër objektiv i rëndësishëm është brandimi dhe certifikimi i vajit të ullirit me tregues gjeografikë të mbrojtur (IG), duke theksuar origjinën dhe cilësitë unike të vajit të Beratit”.

Ky projekt, me vlerë investimi rreth 900,000 USD, është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj sfidave që paraqet tregu global i vajit të ullirit, sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i cili është ndikuar ndjeshëm nga faktorë si ndryshimet klimatike dhe rënia e prodhimit në vendet tradicionale si Spanja dhe Italia.

“Ndërkohë që prodhimi global është në rënie, për shkak të sfidave të tilla, si thatësira dhe dëmtuesit e kulturave të ullirit, Shqipëria ka një mundësi të artë për të rritur praninë e saj në tregjet ndërkombëtare, duke ofruar një produkt cilësor dhe të certifikuar që plotëson kërkesat e konsumatorëve më të sofistikuar.

Në këtë kuadër, rajoni i Beratit, me traditën e tij të gjatë në kultivimin e varieteteve autoktone si ‘Ulliri Kokërrmadh i Beratit’, përfaqëson një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e një identiteti të fortë rajonal.

Konsorciumi do të mbështesë jo vetëm përmirësimin e praktikave prodhuese, por edhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e certifikimit të cilësisë dhe përdorimit të treguesve gjeografikë, duke ndihmuar kështu në pozicionimin e vajit të ullirit shqiptar si një produkt premium në tregun e Bashkimit Europian dhe më gjerë”, theksohet nga Ministria e Bujqësisë.

Projekti i mbështetur nga Banka Botërore pritet zbatohet edhe në qarqe të tjera të vendit./ Monitor.al

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *