Unioni Internacional Demokratik (IDU), një nga organizatat më të mëdha të partive të qendrës së djathtë dhe qendrës, miratoi para disa muajsh një nga rezolutat më të forta në mbështetje të opozitës në Shqipëri.
Organizata e njohur, me qendër në Mynih, pjesë e të cilës janë 84 parti politike, dënoi ashpër narko-shtetin e ngritur nga Edi Rama dhe abuzimet elektorale nga qeverisja e tij.
Ndërkohë, IDU i ka dërguar një ftesë kreut të Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, për të marrë pjesë në një forum në Bruksel ku do flitet për çështjet e demokracisë dhe kërcënimin nga autoritarizmi.
Ftesa i është dërguar nga kryetari i IDU, Stehen Harper, ish-kryeministër i Kanadasë.
“Po shkruaj sot, në cilësinë time si kryetar i Unionit Internacional Demokratike, aleancës globale të partive të qendrës së djathtë, për t’ju ftuar të merrni pjesë në ngjarjen tonë të ardhshme në Bruksel më vonë këtë vit.
Ne i jemi mirënjohës Partisë Demokratike të Shqipërisë, që është një shtyllë e familjes sonë globale të qendrës së djathtë, dhe ju falënderojmë për qëndrimin tuaj të vendosur në betejën globale për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë nga kërcënimi i vazhdueshëm i autoritarizmit.
Këtë maj, ndërsa ne presim Forumin tonë IDU 2025 në Bruksel, jemi të entuziazmuar që mbledhim ligjvënës konservatorë, drejtues të partive dhe liderë të mendimit nga më shumë se 80 partitë tona anëtare për të krijuar marrëdhënie më të forta, për të ndarë praktikat më të mira për fushatë dhe qeverisje, për të ndërtuar ura me partitë në demokracitë në zhvillim dhe për të trajtuar sfidat e kohës sonë globale.
Dr. Berisha, ju ftoj sinqerisht të merrni pjesë në Forumin tonë IDU në Bruksel nga data 14 deri më 16 maj. E di që flas në emër të të gjitha partive anëtare të IDU-së kur them se prania juaj në këtë Forum do të kontribuonte jashtëzakonisht shumë në axhendën tonë dhe misionin tonë për të promovuar konservatorizmin, lirinë dhe demokracinë globalisht”, thuhet në letrën e Harper.