Berisha: Ne vendosëm mësuesin në piedestal, rrogat e tyre u rritën më shumë se të gjitha pagat e tjera
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është duke zhvilluar një takim në Kamëz me mësuesit me rastin e festës së 7 Marsit.
Në fjalën e tij para mësuesve, Berisha theksoi se gjatë qeverisjes së tij në vitet 2005-2013, profesioni i mësuesit u vendos në piedestal, pasi rrogat e tyre u rritën më shumë se të gjitha pagat e tjera.
“Të dashur mësuese e mësues, prindër, demokrate e demokratë të qytetit të Kamzës.
Të dashur drejtues të PD-së në qendër dhe Kamzë, kandidatë të kësaj partie për deputet të Kamzës dhe kryeqytetit.
I dashur Mediu, të dashur miq, të pranishëm në këtë takim, në një ditë nderimi, në një ditë do të thosha edhe më shumë se nderimi të mësueses, mësuesit, të kontributit të tyre, të përpjekjeve të tyre të mëdha në fushën e dijes, të edukimit qytetar, të atdhetarisë, por dhe njerëz që sot përballen me vështirësi të mëdha dhe të pamerituara.
Sot ne nderojmë këtë ditë, nderojmë figurën e mësueses dhe mësuesit, në një kohë që nuk meritonim kurrë këtë gjë. Kur vështron disa tregues, kur konstaton se pak muaj më parë, fëmijët tanë të mrekullueshëm renditen të fundit në botë për mendimin kreativ, në testin e cilësisë.
Kur kujton se arsimi ynë në cilësi nga një ngjitje vertikale që pati në vitet 2007-2014, pësoi një rënie dramatike vertikale, një rënie e cila nuk është parë, nuk është konstatuar në asnjë nga vendet e planetit, një rënie me 69 pikë në njërën prej shkencave më themelore të njeriut dhe njerëzimit, që është matematika.
Këto tregues nuk janë rastësor. Këto tregues janë dëshmi e një rrokullisje të madhe të sistemit të arsimit në këto vite të narkodiktaturës, të narkoshtetit.
Në rast se kthehemi së bashku mbrapa, në vitet 2005-2013 gjatë atyre dy mandateve, u rindërtuan mbi 1300 shkolla, kopshte dhe këtu në Kamzë, nga 3 apo 4 turne u kalua në mësimdhënie normale.
Në Kamzë dhe Shqipëri, interneti dhe kompjuteri që ishte mollë e ndaluar, u vu në dispozicion të nxënësve në të gjitha shkollat e vendit. Nga 48 shkolla që ishin në vitin 2005 me internet dhe laborator informatike, me 940 kompjutera gjithsej, 24500 kompjuter u ndanë në të gjitha shkollat e vendit.
U krijuan laboratorët e informatikës në shumicën dërmuese, apo në të gjitha shkollat e mesme.
Por mbi të gjitha, të jemi këtu, ne vendosëm mësuesin në piedestalin që e meritonte. Rrogat e tyre u rritën më shumë se të gjitha rrogat e tjera.
Shqipëria në piramidën e rrogave vendosi mësuesit në 1/3 e epërme të saj. Nuk janë kaq shumë vende që e kanë atë pozicion për pagat e mësuesve.
Numri i mësuesve pa arsim përkatës u reduktua, pasi arsimi tashmë u bë një profesion i vlerësuar, profesioni i mësuesit.
Dhe të gjitha këto së bashku bënë të mundur disa arritje shumë të rëndësishme.
U bë e mundur që nga 68% që ishte përqindja e nxënësve që kalonin nga shkolla 9-vjeçare në shkollën e mesme, të arrihet në 90% dhe jo me detyrim, por me mirëorganizim dhe investime.
U bë e mundur që Shqipëria nga 12 studentë që kishte për 1 mijë banorë, në një kohë kur mesatarja Europiane ishte 43 studentë, të kalonte në 50 studentë për 1 mijë banorë.
U bë e mundur një ngjitje vertikale në testin e PIZA-s. Pra, u shënuan arritjet e para serioze, u shumuan programet me qindra”, u shpreh Berisha.