Apeli i GJKKO lë në burg Erion Veliajn, Abule ne arrest shtepie
Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj i cili kërkoi masë më të lehtë sigurie kundrejt garancisë pasurore.
Apeli ka zbutur masën nga burg në “arrest shtëpie për biznesmenin Elman Abule si dhe që të mos kontaktojë me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton.
Vendosi gjyqtari Engert Pëllumbi që dënoi ish-ministrin Tahiri. Në fuqi masa detyrim paraqitjeje për 3 biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi dhe Shkëlqim Fusha.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 13.03.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 13 akti, datë 04.03.2025 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim E.V., E.A., M.P., Sh.F., G.S., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 7, datë 09.02.02025 dhe vendimit nr. 14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit Nr. 7 Akti, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin Nr. 14, datë 12.02.2025, të kësaj gjykate, me këtë ndryshim:
Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arresti në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, e vendosur për personin në hetim E.A., me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i këtij Kodi;
Urdhërohet personi nën hetim E.A. që të mos largohet nga banesa e tij, e cila ndodhet në “***”, si dhe që të mos kontaktojë me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton;
Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim E.A. nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet i izoluar për ndonjë shkak tjetër.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij”, thuhet në njoftimin e Apelit të GJKKO.