Sektori bankar, a ka rrezik nga euforia?
Viti 2024 konfirmoi ecurinë e mirë të sektorit bankar. Asetet u rritën me ritme më të larta krahasuar me një vit më parë, pavarësisht efektit negativ të kursit të këmbimit mbi segmentin e aseteve në valutë të huaj.
Në veçanti, kredia u rrit me ritmet më të larta në 16 vitet e fundit, ndërsa përfitueshmëria ngeli në nivele të kënaqshme.
Megjithatë, rritja e shpejtë e kreditimit, veçanërisht në segmentin e pasurive të paluajtshme, ka ndezur “sinjalet” e para të kujdesit te Banka e Shqipërisë.
Vitin e kaluar u vendos për herë të parë aplikimi i një shtese kundërciklike të kapitalit, me dy etapa, përkatësisht një shtesë prej 0.25 pikë përqindje në qershor (me efekt zbatimi nga qershori 2025) dhe 0.25 pikë përqindje të tjera në dhjetor (me efekt zbatimi nga dhjetori 2025).
Me këtë masë, Banka e Shqipërisë synon të japë një mesazh lidhur me nevojën për të ngadalësuar kreditimin.
Megjithatë, për momentin, sektori bankar nuk duket shumë i shqetësuar për këto sinjale dhe bankierët parashikojnë një tjetër vit me rritje ambicioze të kreditimit dhe konkurrencë të lartë mes bankave.
Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave
Asetet u rritën me 6.4%
Madhësia e sektorit bankar, e matur sipas totalit të aktiveve, u rrit me 6.4% vitin e kaluar.
Sipas të dhënave paraprake dhe të paaudituara të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), totali i aktiveve të sistemit bankar në fund të vitit 2024 arriti në 2.095 trilionë lekë, në rritje me afërsisht 126 miliardë lekë krahasuar me vitin 2023.
Rritja ishte më e lartë krahasuar me atë prej 5.1% të vitit 2023, megjithëse forcimi i Lekut vazhdoi të ndikojë negativisht vlerën statistikore të aseteve në valutë të huaj. Krahasuar me fundin e vitit 2023, kursi i këmbimit të Euros me Lekun ka rënë me 5.5%.
Të dhënat sipas IFRS tregojnë se investimet në letra me vlerë ishin më i madhi ndër grupet kryesore të aktiveve të sektorit bankar edhe për vitin 2024.
Sipas shifrave të Shoqatës së Bankave, këto investime në fund të vitit të kaluar arritën në 866 miliardë lekësh, në rritje me 10% krahasuar me një vit më parë. Letrat me vlerë përbëjnë 41.3% të totalit të aktiveve të sektorit bankar, nga afërsisht 40% që zinin në fund të vitit 2023.
Investimet në letra me vlerë përbëhen në masën më të madhe nga instrumentet e borxhit në Lek dhe në valutë të huaj të qeverisë shqiptare, si dhe nga tituj të emetuesve të huaj publikë dhe privatë.
Zëri i dytë më i madh në bilancin e sektorit bankar është kredia, por huaja ka shënuar rritjen më të lartë në terma relativë, në strukturën e aktiveve. Portofoli i kredisë prej 812.2 miliardë lekësh përbën 38.8% të totalit të aktiveve. Pesha e tij është në rritje nga niveli prej 36.5% i vitit 2023.
Zëri i tretë më i madh i aktiveve në bilancet e bankave, vendosjet me bankat dhe institucionet e tjera financiare, vitin e kaluar pësoi rënie të mëtejshme, në 162.8 miliardë lekë, 3% më pak krahasuar me një vit më parë.
Pesha e vendosjeve në strukturën e bilancit të sektorit ka rënë në 7.8% të totalit të aktiveve, nga 8.5% që kishte qenë një vit më parë.
Pas rritjes së normave të interesit, në vitin 2022, bankat kanë pasur më shumë incentiva për t’i investuar fondet e lira në kredi dhe letra me vlerë.
Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave
Kredia me rritjen më të lartë në 16 vjet
Kreditimi u përshpejtua ndjeshëm vitin e kaluar dhe shënoi rritjen më të lartë në 16 vitet e fundit.
Statistikat e Shoqatës së Bankave tregojnë se portofoli i kredisë për ekonominë në fund të vitit të kaluar arriti në 812 miliardë lekë, në rritje me 13.1% krahasuar me një vit më parë.
Megjithatë, vazhdimi i mbiçmimit të Lekut ushtroi një efekt negativ edhe vitin e kaluar dhe në mungesë të tij, rritja e kredisë do të kishte qenë më e lartë, duke qenë se rreth 45% e portofolit të kredisë së sektorit bankar është në valutë të huaj dhe kryesisht në Euro.
Të dhënat sipas IFRS nuk ofrojnë të dhëna më të detajuara për ndarjen e kredisë sipas valutave dhe segmenteve të klientëve.
Kredia e re për ekonominë arriti një rekord të ri historik vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e kredisë së re të disbursuar arriti në 379.8 miliardë lekë, në rritje me 19% krahasuar me vitin 2023.
Rritja e kredisë së re ishte edhe më e lartë krahasuar me nivelin prej 14.5% të vitit 2023.
Shifrat e kredisë së re, megjithatë, përfshijnë edhe rifinancime të kredive të maturuara ose zhvendosje të kredive ekzistuese në banka të tjera, por megjithatë edhe këto të dhëna tregojnë se kreditimi e mbylli vitin e kaluar me ecuri befasuese.
Shtysa kryesore për rritjen e kredisë gjatë 2024 erdhi nga segmenti i biznesit. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia e re për bizneset vitin e kaluar arriti shumën e gati 269 miliardë lekëve, me një rritje prej 24% krahasuar me një vit më parë.
Kredia për biznesin ka shfaqur rritje pozitive në të gjitha segmentet, por ritmet më të larta janë shënuar në kredinë për pasuri të paluajtshme.
Edhe segmenti i individëve sidoqoftë vazhdoi rritjen me ritme të larta dyshifrore. Vitin e kaluar, sektori bankar disbursoi pothuajse 107 miliardë lekë kredi të re për individët, në rritje me 16.1% krahasuar me një vit më parë.
Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave
Ekspozimi te kreditë për prona, më shumë se 4 miliardë euro
Ekspozimi i sektorit bankar në kredi për pasuri të paluajtshme arriti në 398 miliardë lekë, ose më shumë se 4 miliardë euro në fund të vitit të kaluar.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera totale e kredisë për pasuri të paluajtshme u rrit me më shumë se 16% gjatë vitit 2024. Kjo shifër përfshin të dyja segmentet e klientëve, biznese dhe individë.
Pjesa më e madhe e portofolit u takon individëve, me afërsisht 52% të ekspozimit total në hua për pasuri të paluajtshme, ndërsa diferenca prej 48% është kredi e dhënë për bizneset.
Aktualisht, kredia për pasuri të paluajtshme përbën gjysmën e portofolit total të kredisë së dhënë për sektorin privat të ekonomisë.
Në vitet e fundit, sektori bankar ka rritur ndjeshëm portofolin e kredisë për prona, si për bizneset, ashtu edhe për individët. Krahasuar me periudhën përpara pandemisë, portofoli i kredisë për pasuri të paluajtshme është rritur me 93%.
Vlerësohet se kreditimi ka qenë faktor shumë i rëndësishëm në mbështetjen e kërkesës në tregun e pasurive të paluajtshme. Por, nga ana tjetër, kjo ka rritur edhe ekspozimin e sektorit bankar kundrejt ecurisë së tregut të pasurive të paluajtshme.
Në shumicën dërrmuese të rasteve, kreditë për pasuri të paluajtshme janë të siguruara me prona të lëna si kolateral në favor të bankave (në rastin më të zakonshëm, vetë prona e blerë me kredi).
Një krizë e mundshme në tregun e pasurive të paluajtshme do të ulte vlerën e kolateralit dhe do të ekspozonte bankat ndaj rreziqeve për humbje nga kreditë.
Sipas të dhënave më të fundit, të mesit të vitit 2024, kreditë me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme zinin 45% të tepricës së kredisë, ose rreth 61% të kredisë së kolateralizuar.
Burimi: Banka e Shqipërisë
Bankat po joshen përsëri nga kredia për biznesin e madh
Huadhënia për pasuritë e paluajtshme duket të jetë segmenti më aktiv i huadhënies, por nga ana tjetër, një tregues i faktit se sektori bankar po shfaq oreks në rritje për rrezik është rritja e financimeve në segmentin e korporatave.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia për biznesin e madh në fund të vitit 2024 arriti vlerën e 252.2 miliardë lekëve, në rritje me 23.1% krahasuar me një vit më parë.
Kjo normë rritje është dukshëm më e lartë krahasuar me rritjen mesatare të portofolit të kredisë për ekonominë (12.3%) dhe me rritjen mesatare të portofolit të biznesit (11.4%).
Të dhënat e detajuara tregojnë se norma më e lartë e rritjes së kredisë për biznesin e madh regjistrohet në segmentin e kredive afatgjata, që zakonisht kanë si qëllim financimin e projekteve të reja të investimit.
Kredia afatgjatë në fund të korrikut rezultonte në rritje vjetore me afërsisht 31%.
Në fund të vitit 2024, kredia për biznesin e madh përbënte 30.7% të kredisë për ekonominë, nga 28% që përbënte një vit më parë. E matur si peshë specifike, në fakt, kredia për biznesin e madh është ende larg niveleve të shënuara një dekadë më parë, kur kredia për biznesin e madh përbënte më shumë se 40% të kredisë për ekonominë.
Ekspozimet e mëdha në segmentin e korporatave dhanë ndikimin kryesor në krizën e kredive me probleme, që kulmoi në vitin 2015. Edhe për këtë arsye, në dekadën e fundit, bankat janë përpjekur të ulin gradualisht ekspozimet e mëdha, duke vendosur fokus në rritjen e kreditimit në segmentin me pakicë.
Megjithatë, në dy vitet e fundit po vërehet një tendencë në rritje për të marrë përsipër ekspozime në vlera të mëdha te klientët korporativë.
Rritja e kredisë për korporatat përfshin edhe ekspozime në vlera mjaft të mëdha te huamarrës të veçantë, që në disa raste po jepen në bashkëpunim mes bankave, duke përdorur instrumentin e kredive sindikale.
Verën e kaluar, katër banka tregtare shqiptare kanë firmosur me kompaninë Ayen AS Energji kontratën e kredisë më të madhe sindikale në historinë e sektorit bankar shqiptar.
Raiffeisen Bank (banka udhëheqëse e sindikatës), Banka OTP Albania, Banka Intesa Sanpaolo Shqipëri dhe Tirana Bank ranë dakord të disbursojnë një kredi në vlerën e 110 milionë eurove në favor të kompanisë koncesionare të sektorit energjetik.
Qëllimi i kredisë do të jetë rifinancimi i një kredie ekzistuese që kompania në fjalë ka marrë nga banka turke Türkiye İş Bankasi (İş Bank).
Banka Intesa Sanpaolo gjithashtu ka vendosur të financojë e vetme një kredi prej 26 milionë eurosh për grupin BALFIN, me qëllim ndërtimin e MGallery Hotel në Palasë.
Projekti do të mbështetet megjithatë edhe nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që ka marrë përsipër ndarjen e riskut me bankën huadhënëse, deri në 50% të shumës së investimit.
Në fund të 2023, Banka Amerikane e Investimeve, Tirana Bank dhe Union Bank miratuan një linjë kredie të përbashkët me shoqërinë Dragobia Energy, në pronësi të Gener 2, subjekti kontraktor për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.
Kredia kishte fillimisht vlerën e 26 milionë eurove, ndërsa në mars të këtij viti palët nënshkruan edhe një shtesë prej 4 milionë eurosh në kontratën e huasë. Dragobia Energy do t’i përdorë fondet e kredisë si borxh për aksionerin e vet, me qëllim financimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.
Në vitin 2021, Intesa Sanpaolo Bank Albania, OTP Albania dhe Tirana Bank financuan me një kredi të përbashkët prej 26 milionë eurosh shoqërinë koncesionare “Orikum-Llogara”.
Edhe në rastin kur kreditë shërbejnë për të financuar projekte të Partneritetit Publik-Privat (PPP-ve), qeveria shqiptare nuk ofron garanci sovrane, ndaj bankat duhet ta marrë vetë përsipër rrezikun e kredisë.
Tregtia ngelet sektori më i kredituar, rriten pasuritë e paluajtshme
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, kredia e re për biznesin u rrit me 24% vitin e kaluar dhe arriti në 269 miliardë lekë.
Tregtia mbetet dominuese në strukturën e kredisë për ekonominë, me 35.6% të volumit total të disbursimeve të reja. Megjithatë, pesha e tregtisë në portofolin e kredisë për biznesin ka rënë nga niveli prej 37.2% i një viti më parë.
Në vlerë, kredia e re për tregtinë në 2024 arriti në 95.6 miliardë lekë, në rritje me 19.5% krahasuar me vitin 2023.
Megjithëse kërkesa e brendshme ka shfaqur sinjale dobësie, edhe për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve pas vitit 2022, shtimi i numrit të turistëve të huaj duket se e ka kompensuar pjesërisht këtë efekt.
Sektori i dytë më i kredituar i ekonomisë edhe vitin e kaluar ishte ndërtimi, me një vlerë kredie të re prej 46.9 miliardë lekësh, 18.5% më shumë krahasuar me vitin 2023.
Megjithatë, për shkak se rritja ishte më e ulët se mesatarja e kredisë, pesha specifike e huasë së re për ndërtimin ra në 17.5%, nga 18.2% që kishte qenë një vit më parë.
Kredia për ndërtimin po përjeton një cikël të ri rritjeje, i nxitur nga zhvillimet në sektorin e pasurive të paluajtshme, sidomos në kryeqytet dhe bregdet.
Rritja e çmimeve të pronave në vitet e fundit ka nxitur edhe sektorin bankar të mbështesë investimet në këtë sektor, megjithëse një pjesë e portofolit mund të jetë e lidhur edhe me kredinë për firmat kontraktore të investimeve në infrastrukturë.
Sektori i tretë më i kredituar i ekonomisë ishte industria përpunuese, me 27.7 miliardë lekë, 12% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Edhe për industrinë, pesha specifike ndaj kredisë totale për biznesin zbriti në 10.3%, nga 11.4% një vit më parë.
Rritje të lartë të kreditimit vitin e kaluar shënoi veçanërisht sektori energjetik.
Portofoli i kredisë në këtë sektor arriti në 24.3 miliardë lekë, në rritje me 106% krahasuar me 2023. Kjo solli edhe një rritje të ndjeshme të peshës në strukturën e financimeve të reja për bizneset, në 9.1%, nga 5.5% një vit më parë.
Sektori i transportit dhe magazinimit shënoi përsëri rritje të peshës në kredinë për biznes dhe arriti në 5% të financimeve të reja, nga 4.8% që kishte qenë një vit më parë. Financimet e reja në këtë sektor arritën në 13.5 miliardë lekë, 30% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Peshë në rritje edhe për vitin e kaluar fitoi sektori i hotelerisë, duke reflektuar kërkesën e lartë për investime të reja në këtë sektor. Kredia e re arriti në 12.9 miliardë lekë, në rritje vjetore me 26.5%. Pesha në strukturën e kredisë për biznes u rrit në 4.8%, nga 4.7% një vit më parë.
Sektori i bujqësisë edhe vitin e kaluar shënoi kreditim në vlera modeste, me 2.7 miliardë lekë në total, vlerë kjo pothuajse e njëjtë me një vit më parë. Bujqësia ngelet dukshëm e nënkredituar, pavarësisht aplikimit të skemave të ndryshme të lehtësimit të financimit.
Sipas ekspertëve të bankave tregtare, problemet më të mëdha me kreditimin e bujqësisë lidhen me mungesën e garancive dhe kolateraleve për huatë, mungesën e informacionit, njohurive teknike dhe aftësive menaxheriale të fermerëve, fragmentimi i lartë i tokës (fermat e vogla) e si pasojë, mungesa e ekonomive të shkallës dhe mungesa e kooperimit mes fermerëve për të siguruar kontrata të mëdha porosie, shfrytëzimit të përbashkët të magazinave, etj.
Nga ana tjetër, sipas drejtuesve të institucioneve financiare, pakësimi i popullsisë në zonat rurale dhe vështirësitë e prodhimit bujqësor vendas për të qenë konkurrues duket se kanë tkurrur edhe kërkesën për kredi në sektorin e bujqësisë.
Burimi: Banka e Shqipërisë
Raporti i kredive me probleme ra për të tetin vit radhazi
Raporti i kredive me probleme ra për të tetin vit radhazi në 2024. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme zbriti në 4.17%, nga 4.74% një vit më parë. Ky tregues ka arritur nivelin më të ulët që prej shtatorit të vitit 2008.
Zmadhimi i portofolit total të kredisë ka pasur një rol të rëndësishëm në uljen e raportit të kredive me probleme vitin e kaluar. Portofoli i kredisë për ekonominë në fund të vitit 2024 shënoi rritjen më të lartë në 16 vitet e fundit.
Ekonomia shqiptare vitin e kaluar u karakterizua nga ritme relativisht të larta të rritjes, e mbështetur sidomos nga ecuria e mirë e sektorëve të lidhur me turizmin dhe pasuritë e paluajtshme.
Vitin e kaluar, raporti i kredive me probleme ka pësuar rënie të lehtë edhe në vlerë absolute.
Totali i kredive me probleme në fund të 2024 vlerësohet në afërsisht 34.8 miliardë lekë, nga rreth 35.3 miliardë lekë një vit më parë. Në vlerë absolute, kreditë e këqija kanë rënë me afërsisht 0.5 miliard lekë, ose 1.4% krahasuar me një vit më parë.
Edhe viti 2024 solli vazhdimësi të tendencës disavjeçare rënëse të raportit të kredive me probleme, por megjithatë, rritja e shpejtë e kredisë, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme, ka ngjallur shqetësim te Banka e Shqipërisë.
Vitin e kaluar, portofoli i kredisë për pasuri të paluajtshme të individëve dhe bizneseve u rrit përkatësisht me 15.5% dhe 17.4%.
Të marra së bashku, këto portofola përbëjnë afërsisht gjysmën e vlerës totale të kredisë së dhënë nga sektori bankar vend.
Burimi: Banka e Shqipërisë, sipas standardeve lokale
Banka e Shqipërisë shton më shumë kërkesat për kapital
Pikërisht për shkak të rritjes së shpejtë të kredisë për pasuri të paluajtshme, Banka e Shqipërisë aplikoi për herë të parë vitin e kaluar një shtesë të posaçme në kërkesat për kapital ndaj sektorit bankar. Shtesa kundërciklike e kapitalit u vendos për herë të parë në qershor, në masën 0.25% dhe u rrit në dhjetor, në nivelin 0.5%.
Aplikimi i një shtese kundërciklike të kapitalit është i parashikuar në rregulloren e vitit 2018 “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”.
Një shtesë e tillë ka si qëllim ngadalësimin e kreditimit, në rast se Banka Qendrore vlerëson se po ndodh një rritje me ritme tepër të shpejta.
Në analizën e Bankës së Shqipërisë, prej disa tremujorësh, ekonomia shqiptare po përjeton një cikël financiar pozitiv të mbështetur mbi rritjen e përshpejtuar të kredisë bankare dhe periudha të tilla shoqërohen me nivele të mira të performancës financiare për agjentët e ekonomisë reale dhe për sistemin financiar.
Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, këto periudha shoqërohen edhe me fillimin e rreziqeve të caktuara, që mund të lidhen me rënie të standardeve të kreditimit, rritjen e niveleve të përqendrimit të saj në sektorë apo tregje të caktuara, rritjen e niveleve të borxhit për agjentët e ekonomisë reale përtej niveleve të shëndetshme.
Këto situata, nëse lejohet të zhvillohen, mund ta bëjnë ekonominë dhe sistemin financiar më të ndjeshëm ndaj goditjeve të ndryshme, duke cenuar kështu stabilitetin financiar.
Për këto arsye, në këto raste sugjerohet përdorimi i instrumenteve makroprudenciale që veprojnë në mënyrë kundërciklike dhe parandalojnë zhvillimin e pakontrolluar të këtyre rreziqeve.
Për bankat, kapitalizimi është i lartë…ndoshta tepër
Kapitalizimi i sektorit bankar u rrit më tej vitin e kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit në fund të vitit 2024 arriti në 19.82%, nga 19.42% në fund të vitit 2023.
Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut.
Vlera e kapitalit rregullator të sektorit bankar në fund të vitit 2024 arriti në 207.2 miliardë lekë, në rritje me 10.7% krahasuar me një vit më parë. Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar në pjesën dërrmuese është kapital i nivelit të parë, që përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, kryesisht kapitalin e paguar aksioner, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara.
Faktori me ndikimin kryesor në rritjen e kapitalit rregullator të sektorit ka qenë rezultati i lartë financiar i vitit 2024.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2024, fitimi neto i sektorit bankar me standardet lokale arriti në 37.4 miliardë lekë, në rritje me 15% krahasuar me vitin 2022.
Nga ana tjetër, vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku në fund të vitit 2024 arriti në 1045 miliardë lekë, me 8.5% me bazë vjetore.
Grupi kryesor i aktiveve me rrezik në bilancet e bankave janë kreditë për sektorin privat. Rritja e aktiveve me rrezik gjatë vitit të kaluar i detyrohet kryesisht rritjes së kreditimit të ekonomisë.
Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar në Shqipëri ndodhet pranë niveleve më të larta historike. Rritja e këtij treguesi gjatë viteve të fundit ka ardhur sidomos për shkak të rritjes së fortë të kërkesave minimale rregullatore nga Banka e Shqipërisë.
Kërkesat për një kapitalizim më të lartë të bankave janë në linjë me masat e marra nga institucionet mbikëqyrëse homologe në Europë pas krizës financiare dhe synojnë të rrisin rezistencën e bankave tregtare kundrejt rreziqeve të mundshme në të ardhmen.
Pragu minimal i kërkuar është 12%, ndërsa për banka të veçanta, kërkesa gjatë dekadës së fundit ka qenë edhe më e lartë. Me hyrjen në fuqi të shtesave makroprudenciale të kapitalit, nivelet minimale të kërkuara të kapitalizimit janë rritur edhe më shumë.
Duke shtuar edhe shtesën konservuese të kapitalit, prej 2.5%, raporti total i mjaftueshmërisë së kapitalit arrin në 14.5%.
Ndërsa duke llogaritur edhe shtesat kundërciklike të miratuara deri tani nga Banka e Shqipërisë, deri në fund të vitit 2025, raporti minimal i mjaftueshmërisë së kapitalit për të gjitha bankat do të arrijë në 15%.
Ndërkohë, kërkesat e kapitalizimit janë edhe më të larta për një grup të veçantë bankash, të klasifikuara me rëndësi sistemike.
Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka Credins, Banka Raiffeisen dhe Banka OTP Albania kanë shtesa të tjera në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit, në masën midis 0.5% dhe 1.5%.
Bankat me rëndësi sistemike dhe Banka Intesa Sanpaolo Shqipëri që nga 1 janari 2024 duhet të plotësojnë edhe shtesën e parë të kërkuar të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit që lidhet me kërkesën minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL).
Rritja e kërkesave për kapital i bën bankat më të sigurta ndaj humbjeve të mundshme në të ardhmen. Por, nga ana tjetër, nivelet e larta dhe në rritje të mjaftueshmërisë së kapitalit në parim ndikojnë në uljen e rentabilitetit dhe në rritjen e kostove që i përcillen publikut.
Sot sektori bankar për çdo 100 lekë kredi të dhënë ka afërsisht 20 lekë kapitale të vetat. Nevoja për rritje të kapitalit dikton marzhe dhe kosto fikse më të larta për huamarrësit dhe publikun shqiptar në përgjithësi.
Sektori bankar ka kërkuar me këmbëngulje prej vitesh që së paku kërkesat shtesë për kapital të aplikohen sipër një pragu minimal prej 8%, siç ndodh në Eurozonë.
Por, sipas Bankës së Shqipërisë, një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm pas certifikimit të ekuivalencës së mbikëqyrjes bankare në Shqipëri.
Burimi: Banka e Shqipërisë, sipas standardeve lokale
Depozitat u rritën me 5.7%
Depozitat në sektorin bankar shqiptar u rritën për të gjashtin vit radhazi në 2023. Statistikat e Shoqatës së Bankave tregojnë se në fund të vitit të kaluar, vlera totale e depozitave arriti në 1.74 trilionë lekë, në rritje me 5.7% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e depozitave ishte pak më e lartë se niveli prej 5.4% i një viti më parë, pavarësisht efektit të fortë negativ të kursit të këmbimit mbi depozitat në valutë të huaj.
Të dhënat sipas IFRS nuk japin informacion më të detajuar për strukturën e rritjes së depozitave.
Megjithatë, po t’u referohemi statistikave paralele të Bankës së Shqipërisë, rritja e depozitave të sektorit në 2024 ishte pak më e ulët, me 4.9%.
Në segmentin e individëve, rritja shënoi nivelin 5.9%, ndërsa për bizneset, rritja ishte ndjeshëm më e ulët, me 1.1% krahasuar me një vit më parë.
Të ndara sipas valutave, rritja ishte pak më e lartë për Lekun, me 7.2% krahasuar me një vit më parë, depozitat në valutë të huaj (të raportuara në Lek) shënuan rritje më të ngadaltë, me 3.4%.
Kjo rritje është sidoqoftë e tkurrur ndjeshëm nga efekti negativ i kursit të këmbimit.
Nëse shohim statistikat për depozitat në Euro (të raportuara pa u konvertuar në Lek), rritja e tyre gjatë vitit 2024 arriti në 10.2%.
Pavarësisht se, e zhveshur nga efekti i kursit të këmbimit, rritja e depozitave në Euro ishte më e lartë, kjo rritje u ngadalësua nga niveli prej afërsisht 16% i një viti më parë.
Ndërkohë, rritja e depozitave në Lek ishte pothuajse dy herë më e lartë se në vitin 2023.
Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave
Numri i degëve, me rritjen më të lartë në 16 vjet
Pavarësisht rritjes së peshës së operacioneve në kanalet dixhitale, bankat tregtare i janë kthyer edhe zgjerimit të rrjeteve të tyre të pranisë fizike. Vitin e kaluar, numri i degëve të sektorit bankar iu kthye rritjes.
Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të vitit 2024, bankat raportuan 405 degë, nga 385 që kishte qenë numri i tyre në fund të vitit 2023. Pas një rritjeje të vogël në vitin 2021, viti 2024 shënoi edhe rritjen më të madhe të numrit të degëve të bankave që prej vitit 2008.
Në vitet e fundit, disa prej bankave të sektorit kanë nisur një cikël të zgjerimit të degëve, që lidhet me strategjitë e tyre të rritjes, veçanërisht në segmentin retail.
Kontributin kryesor në rritjen e numrit të degëve në vitin 2024 e kanë dhënë Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), me 16 degë të reja dhe Banka Amerikane e Investimeve, me 6 degë.
Pas marrjes së kontrollit nga grupi i sigurimeve Eurosig, banka më e vogël e sistemit, UBA, nisi një strategji të zgjerimit të shpejtë të rrjetit, me qëllim për të rritur pjesën e saj në treg.
Ndërkohë, ABI Bank, që historikisht ka qenë e orientuar kryesisht në segmentin e biznesit, po tenton të rritet edhe në produktet retail, me interes të veçantë sidomos te depozitat.
Në përgjithësi, rritja e numrit të degëve është e lidhur me momentin pozitiv të sektorit bankar në periudhën pas pandemisë.
Performanca e mirë financiare e sektorit bankar në vitet e fundit ka nxitur banka të veçanta të investojnë edhe në zgjerimin e rrjetit të degëve, si pjesë e strategjisë së tyre të ekspansionit.
Numri i degëve dhe agjencive bankare në Shqipëri shënoi nivelin më të lartë në vitin 2012, me 556 degë dhe agjenci. Nga ai moment, numri i njësive bankare të shërbimit nisi të pakësohet, edhe për faktin e thjeshtë se sektori bankar nuk ishte më në fazë ekspansioni.
Efektet e krizës dhe nevoja për një kontroll më rigoroz të shpenzimeve bëri që shumica e bankave të frenonin zgjerimin e rrjetit dhe të mbyllnin një pjesë të degëve ekzistuese.
Procesi u theksua më shumë pas vitit 2015, nga procesi i konsolidimit të sektorit bankar dhe ulja e numrit të bankave tregtare.
Numri i bankave tregtare ra nga 16 në 11 dhe si rezultat i bashkimeve mes bankave ekzistuese, një pjesë e mirë e degëve të bankave të përthithura u mbyllën.
Një faktor tjetër me ndikim të rëndësishëm në lidhje me numrin e degëve të bankave është edhe dixhitalizimi dhe automatizimi i ofrimit të shërbimeve dhe produkteve bankare.
Sot, pjesa më e madhe e shërbimeve bankare mund të ofrohen nëpërmjet kanaleve dixhitale dhe kjo e ka ulur nevojën për praninë fizike të degëve dhe të stafit. Pavarësisht kësaj, për arsye të lidhura me konkurrencën, disa prej bankave po e zgjerojnë rrjetin e tyre.
Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave
Rritet punësimi dhe pagat
Punësimi në sektorin bankar arriti numrin më të lartë historik vitin e kaluar. Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se në fund të vitit 2024, bankat tregtare në vend raportuan 7154 të punësuar, në rritje me 1.9% krahasuar me një vit më parë.
Punësimi në sektorin bankar është rritur për të pestin vit radhazi. Që në vitin 2023, numri i të punësuarve në banka e kishte kaluar nivelin e vitit 2016. Në atë periudhë, nisi cikli i shitblerjeve dhe i bashkimeve mes bankave tregtare, që solli shkurtimin e rreth 300 vendeve të punës gjatë tre viteve në vazhdim.
Përqendrimi solli dublime të pozicioneve të punës, por edhe të rrjetit të degëve, duke çuar në mënyrë të pashmangshme shkurtime të stafit. Por, pasi konsolidimi i sektorit bankar e kaloi fazën kryesore, punësimi në sektorin bankar iu kthye rritjes, duke filluar nga viti 2020.
Megjithëse numri i bankave është ulur pas vitit 2018 dhe tashmë ka zbritur në 11, bankat që kanë dalë nga procesi i konsolidimit duken më konkurruese dhe me një fokus më të madh në zgjerimin e aktivitetit.
Rritja e dixhitalizimit po sjell më pak nevojë për punonjës në degë, por ajo po kompensohet nga zgjerimi i stafeve të lidhura me shërbimet që mbështeten te teknologjia, si dhe rritja e punësimit në pozicionet administrative, duke ndjekur edhe një cikël të natyrshëm të rritjes së biznesit.
Gjithashtu, rritja e aktivitetit, performanca e mirë financiare dhe rezultatet fitimprurëse po mbështesin zgjerimin e vazhdueshëm të punësimit.
Rritja e punësimit, së bashku me presionet e tregut për rritjen e pagave, sollën edhe rritjen e mëtejshme të shpenzimeve për personelin. Sipas të dhënave paralele të publikuara nga Banka e Shqipërisë, për vitin 2024, shpenzimet e bankave tregtare për personelin arritën në afërsisht 17.8 miliardë lekë, në rritje me 13.3% krahasuar me një vit më parë.
Paga mesatare në sektorin financiar u rrit me pothuajse 12% në fund të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave nga INSTAT, paga mesatare bruto në grupin aktiviteteve financiare dhe të sigurimit arriti në 166,223 lekë në muaj, në rritje me 12% krahasuar me një vit më parë.
Tendencat më afatgjata dëshmojnë një rritje me ritme të shpejta të pagës mesatare në sektorin financiar. Që nga fundi i vitit 2020, paga mesatare mujore bruto në këtë sektor është rritur me pothuajse 42%.
Sidomos në tre vitet e fundit, ekonomia shqiptare është përballur me vështirësi për të siguruar forcë pune të specializuar dhe rrjedhimisht me rritje të kostos së punës.
Tendenca mund të shpjegohet me tendencat negative demografike, konkurrencën në rritje nga tregu i punës në Europë dhe emigracionin e lartë mes të rinjve, përfshi ata të arsimuar.
Edhe sektori financiar është përballur me një trysni në rritje nga tregu i punës, sidomos në pozicionet e nivelit të ulët dhe të mesëm. Lëvizjet e mëdha të stafit në këto pozicione kanë diktuar nevojën për të rishikuar pagat. Trysnia u nxit edhe më shumë nga rritja e fortë e inflacionit, në vitin 2022.
Euroizimi i kredisë dhe depozitave pësoi rënie
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2024, kredia në valutë të huaj përbënte 45.3% të portofolit total të sektorit bankar. Krahasuar me një vit më parë, pesha e kredisë në valutë të huaj ka rënë me pothuajse dy pikë përqindje.
Gjatë kësaj periudhe, kreditë në valutë shënuan rritje, por rritja në tepricën e përgjithshme të kredisë ishte disi më e lartë si pasojë e rritjes më të shpejtë të kredisë në Lek.
Treguesi i kredive në valutë në raport me totalin e kredive ka shënuar rënie për 9 nga 11 banka të sektorit. Krahasuar me fundin e dhjetorit 2016, ky tregues është ulur për 10 nga 11 bankat e sistemit.
Nga ana tjetër, teprica e kredive në valutë të pambrojtura nga kursi i këmbimit (ku kreditë në Euro zënë rreth 93%) ka shënuar rënie të mëtejshme të peshës së saj ndaj totalit të kredive në valutë. Në fund të dhjetorit 2024, këto kredi shënuan 22.83% të kredive në valutë, ose 10.7% të totalit të kredisë.
Në terma absolutë vërehet një rënie me 5.95% dhe 11% e kredive të pambrojtura ndaj kursit të këmbimit krahasuar përkatësisht me fundin e gjashtëmujorit të mëparshëm dhe me një vit më parë.
Kjo rënie e ndjeshme dhe e shpejtë reflekton gjithashtu disa ndryshime strukturore në klasifikim nga një numër i vogël bankash.
Kreditë e ekspozuara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, domethënë rastet kur të ardhurat e subjektit huamarrës janë në monedhë të ndryshme nga monedha e dhënies së kredisë, janë ato me profilin më të lartë të rrezikut.
Për këtë arsye, ky tregues mbart një rëndësi të veçantë në monitorimin e masave të uljes së euroizimit.
Në fund të vitit 2024, treguesi që mat peshën e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave shënoi nivelin 52.1%. Niveli i raportit u ul me 2.2 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, niveli aktual i depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave mbetet mbi pragun e synuar prej 30%, por tendenca e përgjithshme tregon ngadalësimin e përdorimit të valutës në kursime.
Rezulton se 9 nga 11 bankat që operojnë në sistemin bankar regjistrojnë një vlerë të këtij treguesi mbi 50%, e cila potencialisht i bën ato subjekt të normës së rezervës së detyrueshme prej 20%.
Në analizën periodike të ecurisë së treguesve, që janë objekt i strategjisë së deeuroizimit, Banka e Shqipërisë vlerëson se ecuria e treguesve që monitorohen për të vlerësuar efektet e masave të deeuroizimit ka qenë përgjithësisht në përputhje me objektivat e synuar.
Megjithatë, ndryshimet strukturore në ekonomi gjatë viteve të fundit, ku veçohet rritja e fortë e të ardhurave nga turizmi, janë shoqëruar me ndryshime të politikave ekonomike dhe monetare, si dhe të sjelljes së agjentëve të ekonomisë reale.
Për këto arsye, Banka e Shqipërisë vlerëson se dallimi i efekteve që lidhen ngushtë me masat e deeuroizimit, mbetet një proces i vështirë.
Banka Qendrore vlerëson se këto masa ruajnë efektin frenues në ecurinë e euroizimit dhe në mungesë të tyre, madhësia e lëvizjes së ndonjërit prej treguesve, apo edhe kahu i saj, do të ishte i ndryshëm.
Në vitin 2017, Banka e Shqipërisë nënshkroi një memorandum me Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, me qëllim zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare.
Deri tani, vetëm Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masa rregullatore konkrete, që tentojnë të rrisin përdorimin e monedhës vendase në sektorin bankar.
Këto masa tentojnë të rrisin kostot e ndërmjetësimit financiar në valutë dhe paralelisht t’i ulin ato për Lekun.
Ekuivalenca e mbikëqyrjes mund të “gjallërojë” bankat e BE-së
Banka e Shqipërisë ka nisur në fund të vitit të kaluar procesin e vlerësimit të ekuivalencës së mbikëqyrjes me Bashkimin Europian (BE).
Ky proces kryhet nga Autoriteti Bankar Europian dhe ka si qëllim të certifikojë që kuadri i mbikëqyrjes bankare në Shqipëri është i barasvlefshëm me atë të BE-së.
Që pas krizës financiare që nisi në vitin 2008, autoritetet rregullatore të Bashkimit Europian nisën një shtrëngim të kuadrit rregullator për bankat dhe veçanërisht adoptoi një qasje më konservatore në vlerësimin e aktiveve që këto grupe bankare kishin jashtë Eurozonës.
Vlerësimi i aktiveve jashtë Eurozonës me koeficientë më të lartë rreziku u përkthye në kërkesa më të larta kapitalizimi për grupet dhe ishte një ndër faktorët përcaktues që solli largimin e disa prej grupeve të rëndësishme bankare europiane prej shumë tregjeve të Europës Lindore.
Një tendencë e tillë e largimit të grupeve bankare europiane preku pjesërisht edhe tregun shqiptar.
Kuadri rregullator parashikon që aktivet e grupeve bankare të BE-së në vendet jashtë hapësirës komunitare do të trajtohen në këtë mënyrë, deri në momentin kur për secilin treg të jetë certifikuar ekuivalenca e plotë e mbikëqyrjes me kuadrin e BE-së.
Për rrjedhojë, njohja dhe ekuivalentimi i kuadrit rregullator mbikëqyrës siguron avantazhe të përbashkëta jo vetëm për institucionet bankare e financiare që veprojnë në BE, por edhe për institucionet bankare e financiare në vende të tjera jashtë saj.
Për Shqipërinë, procesi i certifikimit nisi vetëm në fund të vitit të kaluar, megjithëse që prej vitit 2022, Banka e Shqipërisë e ka kërkuar një gjë të tillë pranë Komisionit Europian.
Megjithatë, në vitin 2021, Banka e Shqipërisë ka kryer një vlerësim të pavarur të ekuivalencës së kuadrit mbikëqyrës dhe rregullator, sipas metodologjisë së publikuar nga Autoriteti Bankar Europian (EBA).
Me asistencën teknike të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe PricewaterhouseCooper (PwC), u krye një vlerësim i pavarur i kuadrit mbikëqyrës aktual nën një qasje gjithëpërfshirëse, duke u mbështetur në metodologjinë dhe pyetësorin e hartuar nga EBA për këtë qëllim.
Kjo analizë doli në përfundimin se kuadri rregullator e procedural, si dhe praktikat mbikëqyrëse janë në një nivel të lartë, ekuivalente (pranë nivelit 85%) dhe të përafruara me standardet e aplikueshme në vendet e BE-së.
Ky përafrim vlerësohet veçanërisht i lartë në drejtim të kërkesave për kapital, teknikave të zbutjes të aplikuara, ekspozimeve të mëdha, të likuiditetit, levës financiare, të mbikëqyrjes makroprudenciale, sekretit profesional dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Certifikimi i ekuivalencës së mbikëqyrjes në teori mund ta bëjë më tërheqës tregun shqiptar për investime të reja nga grupet bankare të Eurozonës, por mund të ndikojë pozitivisht edhe strategjitë e biznesit të grupeve bankare ekzistuese në treg.
FMN kërkon kujdes me kredinë te huamarrësit e mëdhenj
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kërkoi në fillim të këtij viti nga sektori bankar shqiptar një kujdes më të madh lidhur me ekspozimet te huamarrësit e mëdhenj. Në raportin e muajit janar për Shqipërinë, stafi i FMN-së e ilustronte këtë shqetësim me rezultatet e provave të rezistencës (stres-testeve).
Sipas FMN-së, një bankë tregtare në vend nuk do të përmbushte kërkesat minimale të kapitalit rregullator, në skenarin e falimentimit të huamarrësit më të madh të çdo banke.
Në një skenar më të rënduar, që mbështetet në supozimin e falimentimit të dy huamarrësve më të mëdhenj, disa prej bankave të sektorit do të binin poshtë nivelit minimal të kërkuar të kapitalit rregullator.
Rritja e kredisë për korporatat përfshin edhe ekspozime në vlera mjaft të mëdha te huamarrës të veçantë, që në disa raste po jepen në bashkëpunim mes bankave, duke përdorur instrumentin e kredive sindikale.
Në të njëjtën linjë, FMN nënvizon edhe nevojën për më shumë kujdes të lidhur me ekspozimin e lartë në financimin e borxhit publik të vendit, ekspozim që në rrethana të caktuara mund të sjellë rreziqe të shtuara të likuiditetit.
Sektori bankar në Shqipëri është ndër të parët në Europë për shkallën e zotërimit të letrave me vlerë të qeverisë.
Një skenar i tillë krijon rreziqe për likuiditetin, veçanërisht në kushtet e mungesës së një tregu dytësor të zhvilluar.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të nëntorit 2024, investimi në letrat me vlerë të qeverisë shqiptare përbënte më shumë se 27% të aktiveve totale të sektorit bankar në vend.
Provat e rezistencës tregojnë se aftësia e bankave për të gjeneruar likuiditet të mjaftueshëm varet nga aksesi në instrumentet e likuiditetit të Bankës së Shqipërisë.
Në pamundësi për të përdorur të tilla instrumente (për shembull, në skenarin kur banka përballet njëkohësisht me probleme të likuiditetit dhe aftësisë paguese), disa banka do të rezultonin me mungesa të konsiderueshme likuiditeti.
FMN gjithashtu ka përsëritur edhe një herë shqetësimin në lidhje me rritjen e shpejtë të kredisë për pasuri të paluajtshme, i shprehur në disa raste që vitin e kaluar.
Sipas FMN-së, rritja e shpejtë e kreditimit të bankave për sektorin e pasurive të paluajtshme, që përbën edhe dy të tretat e kredisë së ekspozuar ndaj lëvizjeve të kursit të këmbimit, paraqet rreziqe për stabilitetin financiar të vendit.
Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë ka reaguar vitin e kaluar duke aplikuar shtesën kundërciklike të kapitalit për bankat tregtare.
Megjithatë, FMN rekomandon edhe aplikimin e kërkesave shtesë të administrimit të rrezikut, si vendosjen e disa nivele maksimale të lejuara për raportin mes kredisë dhe vlerës së pronës që financohet, si edhe të një raporti maksimal të shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave të huamarrësve (DTI). Monitor. https://standard.al/2025/04/19/sektori-bankar-a-ka-rrezik-nga-euforia/