Pajisja me kupon tatimor është detyrim ligjor i çdo biznesi, në të kundërt qytetarit i lind e drejta për të mos paguar për mallin ose shërbimin që i ofrohet.
Edhe pse ligji është i qartë, kompania telefonike “ONE” jo vetëm që nuk lëshon kuponë tatimor për klientët e saj, por nëse abonenti kërkon për t’u pajisur me kupon tatimor i refuzohet rimbushja.
KOMUNIKIMI NË SPORTELIN E PARË “ONE”
Qytetari: Pse nuk marr faturë?
Punonjësja e “ONE”: Fatura vonon!
Qytetari: Pse? Sa vonon?
Punonjësja e “ONE”: Mund të vonojë 10-15 minuta, mund të vonojë gjysëm ore.
Qytetari: Po pse duhet të vonojë 15 minuta? Prandaj vidhni ju se nuk jepni faturë.
Punonjësja e “ONE”: Dëshiron ta kaloj?...
Qytetari: Faturën po, e dua!
Punonjësja e “ONE”: Në qoftë se doni faturën nuk bëhet rimbushja. Më vjen keq. Mund t’i merrni lekët!
Qytetari: Si nuk bëhet rimbushja?! Dua faturë!
Kompania “ONE” sfidon shtetin dhe kërcënon qytetarët se nuk do të marrin shërbim nëse kërkojnë të pajisen me kupon tatimor. Ky nuk është një rast i izoluar, pasi edhe në pikat e tjera “ONE” nuk jepet fatura tatimore.
Ose, ashtu sikurse shprehen edhe punonjësit, duhet të presësh 50 minuta në dyqan që të marrësh faturën për rimbushjen e kryer.
KOMUNIKIMI NË SPORTELIN E DYTË “ONE”
Qytetari: Kam ardhur edhe herë tjetër…
Punonjësja e “ONE”: Çfarë të bëjmë?
Qytetari: Sa duhet të pres?
Punonjësja e “ONE”: Diku tek 50 minuta.
Qytetari: Sa vonohet?
Punonjësja e “ONE”: Diku te 50 minuta.
Qytetari: 50 minuta?
Punonjësja e “ONE”: PO!
Qytetari: Mirupafshim!
KOMUNIKIMI NË SPORTELIN E TRETË “ONE”
Qytetari: Pse vonon kaq shumë?
Punonjësja e “ONE”: Është… Dalin automatikisht faturat, po ngaqë…
Qytetari: Po edhe kur blejë speca dalin direkt, pse duhet të vonohet këtu?
Punonjësja e “ONE”: Ngaqë sistemi është pak i ngadaltë.
Qytetari: Sistemi ë? Mirupafshim, faturë s’ka dmth?
Punonjësja e “ONE”: Ka faturë, por të presësh pak.
Qytetari: Sa?
Punonjësja e “ONE”: Nuk e di, thjesht dalin automatikisht.
Qytetari: Si nuk e di? Zonjë, kur shkon të blesh diçka të del fatura në sekondë, pse duhet të pres unë?
Punonjësja e “ONE”: Është një problem i kasës që vonon…
Qytetari: Ju e keni përditë këtë problem, nuk është se e keni vetëm sot.
Punonjësja e “ONE”: Ka muaj, jo ditë!
Qytetari: Po pra, mirupafshim!
Ashtu sikurse pohon edhe punonjësja ky problem ka disa muaj, por me sa duket kompania “ONE” ndihet e pashqetësuar nga inspektorët tatimorë dhe vijon të fusë duart në arkën e shtetit duke mos deklaruar xhiron e plotë.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, mos lëshim kuponi hera I-rë shoqërohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe përveç masës së gjobës për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet vlerësim tatimor për tre muajt e fundit.
Mos lëshim kuponi hera II-të shoqërohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe gjithashtu merret masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 30 ditë kalendarike.
Mos lëshim kuponi hera III-të shoqërohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe konsiderohet evazion tatimor duke kallëzuar subjektin penalisht.
Dukë qenë se inspektorët tatimorë e kanë pasur të vështirë identifikimin e kësaj problematike, denoncimi i mbërritur në “Ora Investigim” i jep një tablo të qartë të asaj që ndodh në mes të Tiranës.
Të paktën në tri raste “ONE” nuk ka dhënë kupon tatimor.