Klinika ku ndërroi jetë 3-vjeçari pa licensë, prindërit e Brianit kërkojnë përjashtimin e Felajt

0
167

Prindërit e 3-vjeçarit Brian Spahiu, i cili ndërroi jetë pas kontrolleve dentare në klinikën “Splendent” në tiranë të mjekut Roland Xhaxho dhe vajzës së tij Ina Xhaho, kanë kërkuar këtë të hënë përjashtimin e prokurores Alma Felaj nga hetimi i dosjes.

Mësohet se ata kanë patur sot një takim me drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës, ku dhe i kanë paraqitur dokumenta ku pretendojnë se prokurorja nuk ka vepruar megjithëse klinika “Splendent” ka qenë e pa licencuar në momentin që i mituri ka bërë ndërhyrjen tek dhëmbët me anestezi.

Ata kanë paraqitur në Prokurori rezultatet e një inspektimi të bërë nga Inspektoriati Shtetëtor Shëndetësor menjëherë pas ngjarjes, i cili ka rezultuar se subjekti në fjalë, pra Ina Xhaxhos, i është refuzuar gjashtë herë marrja e licencës për ushtrimin e aktivitetit në shërbime mjekësore dhe stomatologjike në kohën kur ka kryer ndërhyrjen dhe e ka marrë licencën vetëm 1 muaj pas ngjarjes tragjike.

3-vjeçari Brian Spahiu kreu ndërhyrje në klinikën dentare në fund të muajit shtator 2023 dhe ndërroi jetë më 1 tetor, ndërsa në dokumentet vërtetohet se Ina Xhaxho e ka marrë licencën me 31 tetor 2023, një muaj më pas.

Po në dokumentin ku bazohet babai i të ndjerit, shkruhet dhe se ndaj klinikës është vendosur, masë administrative për shkelje të ligjit përkatës. Nga ana tjetër vajza e Roland Xhaxhos, Ina Xhaxho ka ankimuar këtë masë, por sërish është lënë në fuqi.

Gjithashtu, vlen të theksohet dhe fakti se ekspertiza për shkakun e vdekjes së 3-vjeçarit Brian Spahia ka sjellë një përplasje mes Prokurorisë së Tiranës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore. Prokurorja e çështjes, Alma Felaj, kërkon që të caktojë ekspertë të huaj për të kryer ekspertizë për të përcaktuar shkakun e vdekjes së 3-vjeçarit.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, akti i parë i ekspertizës që u publikua në muajin nëntor 2023, i cili përcaktoi si shkak të vdekjes së 3-vjeçarit mbidozën e narkozës që shkaktoi mosfunksionim të organeve, është i paplotë dhe konkluzioni i pasaktë dhe për këtë arsye organi i akuzës e kërkon riekspertim. Sipas Prokurorisë, mungojnë ekspertët e fushës për të dhënë përgjigje për të gjitha pyetjet. Po ashtu, Prokuroria thotë se mjekët specialistë në vendin tonë, janë në konflikt interesi me personat në hetim, përfshirë edhe mjekun Roland Xhaxho.

Ndërkohë, Mjekësia Ligjore pretendon se procedurat për caktimin e shkakut të vdekjes janë kryer si duhet. Sipas Insitutit të Mjekësisë Ligjore, krahas dy mjekëve që kryen autopsinë, morën pjesë edhe dy mjekë të tjerë të cilët janë specialistë të anatomisë patologjike.

Kujtojmë se 3-vjeçari Brian Spahiu humbi jetën në reanimacionin e pediatrisë më 1 tetor të vitit të kaluar, tre ditë pas kreu ndërhyrjen kirurgjikale te dentistja Ina Xhaxho për mbushjen e 14 dhëmbëve. Ka qenë babai i saj, Roland Xhaxho që ka kryer anestezinë dhe të dy janë nën hetim për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, ndërsa Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet.

Familjarët akuzojnë mjekun se i ka dhënë dozë të lartë anestezie, ndërsa thonë se djalin e kanë marrë në gjendje të rëndë nga klinika.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here